EMRAT – VIDEO/ Iu gjetën kokainë dhe kanabis gati për shitje, prangosen dy persona në Fier

Kelmend Ferko 48 vjeç  dhe Tomorr Qallia 45 vjeç janë arrestuar nga policia pasi në lokalin e 48-vjeçarit janë gjetur 44 doza kokainë dhe 21 doza kanabis gati për shitje. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e Qalliajt u gjetën 125 kg, bimë kanabis. Në fund të operacionit “Trajektorja” ndaj dy të arrestuarve janë ngritur akuzat për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

“Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni policor i koduar “Trajektorja”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Njësia Operacionale në DVP Fier në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier.

Gjatë operacionit goditen 2 raste, një për prodhim dhe shitje të narkotikëve dhe një për shpërndarje të drogave të forta në doza. Sekuestrohet lëndë narkotike cannabis sativa dhe doza me kokainë gati për shitje. Vihen në pranga 2 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Njësia Operacionale në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, bënë të mundur finalizimin me sukses të operacionit policor të koduar “Trajektorja”.

Gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Hoxharë, në lokalin në pronësi të shtetasit K. F., u gjetën 44 doza me lëndë narkotike kokainë dhe 21 doza me lëndë narkotike cannabis sativa, gati për shitje. Gjithashtu, kontroll u ushtrua edhe në fshatin Lalar, ku në banesën e shtetasit T. Q., u gjetën 125 kg lëndë bimore cannabis sativa.

Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit K. F., 48 vjeç, banues në Hoxharë, Fier dhe T. Q., 45 vjeç, banues në Lalar, Patos. Materialet proceduriale i kaluan  Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Fier, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, njofton policia.