Afganistan: ‘Motrën e vogël nën 13 vjeçe, po e detyrojnë të martohet me një taleban’

Një studiues që iku nga Afganistani për të studiuar në një universitet në Mbretërinë e Bashkuar thotë se talebanët kanë kërcënuar familjen e tij.

Burri, të cilin BBC nuk ia thotë emrin, tha se ka marrë mesazhe se motra e tij - e cila është nën 13 vjeç - do të merret dhe martohet me një luftëtar talebanë.

Ai ka frikë se motra e tij do të jetë e burgosur përjetë nëse ajo detyrohet me forcë të martohet.

Studiuesi, i cili është në skemën e bursave Chevening, u dërgua me avion në Mbretërinë e Bashkuar pas marrjes së pushtetit nga talebanët, por nuk qe në gjendje të merrte me vete familjen e tij.

Ai është një nga rreth 35 afganët e evakuuar nga Afganistani në Mbretërinë e Bashkuar për të marrë bursa Chevening - të cilat financohen nga Foreign Office dhe u mundësojnë studentëve premtues në të gjithë botën të ndjekin një diplomë masteri në Britani.

Duke folur për programin Today të BBC Radio 4, studiuesi i Chevening tha se talebanët i kishin thënë atij dhe nënës së tij se e motra do të merrej për martesë brenda një muaji.

"Ata po thonë se motra ime do të martohet me një nga anëtarët e tyre të çmendur. Nuk është një dënim me vdekje, por ajo që ata po bëjnë është që ta burgosin atë përjetë.

"Ajo do të jetë si një e burgosur lufte, ajo as nuk mund të shqiptojë disa fjalë, ajo është në shkollë. Por ata thonë se ajo nuk duhet të shkojë në shkollë po duhet të martohet."

Më 21 gusht, burri mori një email nga bursa Chevening ku i thuhej se ai dhe ata si ai menjëherë duhet të shkonin në Mbretërinë e Bashkuar.

Por ai tha se situata "kaotike" në aeroportin në kryeqytetin e vendit, Kabul, nënkuptonte se ai nuk mund të "rrezikonte" të sillte familjen e tij.

Kishte skena dëshpëruese në aeroport ndërsa SHBA dhe aleatët e saj - përfshirë Mbretërinë e Bashkuar - u përpoqën të evakuonin qytetarët e tyre dhe afganët e kualifikuar para se SHBA të tërhiqte trupat e saj më 31 gusht.

Disa njerëz ranë për vdekje pasi u përpoqën të kapeshin pas aeroplanëve ushtarakë amerikanë gjatë ngritjes së tyre, me situatën e sigurisë që u rrit pasi një sulmues vetëvrasës vrau deri në 170 civilë dhe 13 trupa amerikanë jashtë aeroportit më 26 gusht. IS-K tha se kishte kryer sulmin.

Shumë prej të vrarëve kishin shpresuar të hipnin në avionët e evakuimit që dilnin nga qyteti.

Qeveria britanike thotë se ka ndihmuar studiuesit e këtij viti të Chevening të largohen nga Afganistani për në Mbretërinë e Bashkuar, me një zëdhënës duke shtuar: "Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar kalim të sigurt dhe për të përmbushur detyrimin tonë për të nxjerrë shtetasit britanikë dhe afganët e kualifikuar nga vendi."