FOTO/ Britanikët pa karburant, radhë të gjata dhe grushte mes qytetarëve

Kriza me karburantet nuk po gjen zgjidhje, pavarësisht se qeveria britanike po angazhon dhe ushtrinë. Për të disatën ditë radhazi, janë raportuar radhë të gjata në pikat e karburanteve. Kjo ka nxitur tensione mes shoferëve, ku natyrisht nuk kanë munguar dhe debatet e forta apo konfrontimet fizike.

 “Ky është një kaos, ka trafik kudo. Ka debate dhe sherre”, thotë shoferi. “Kam një takim te doktori, por jam në pritje. Do qëndroj këtu për një orë dhe kjo më mërzit shumë”, qahet një tjetër.

Rafineritë në Britani të Madhe janë plot me naftë dhe benzinë, por problemi qëndron te transporti. Këtij shteti i nevojiten të paktën 100 mijë shoferë kamioni për të furnizuar pikat e karburantit.

Kjo mungesë i atribuohet kryesisht Brexit dhe pandemisë të koronavirusit, pasi shumë u larguan pas daljes së Britanisë nga BE, ndërsa izolimet e shpeshta kanë penguar trajnimin e shoferëve të rinj. Qeveria e Londrës ka lehtësuar procesin e dhënieve të vizave për punonjësit e huaj, por duket se oferta nuk po pranohet.

Të paktën 90 për qind e pikave të karburantit qëndrojnë të mbyllura. Kryeministri britanik, Boris Johnson, ka premtuar që problem me transportin do të zgjidhet përpara festës së Krishtlindjeve, por qytetarët janë skeptikë për këtë.