Berisha: Atje ekzekutohej polici, këndej drejtësia e Sorosit lironte Saimir Habilin

Lideri historik demokrat, Sali Berisha u pyet në Foltoren e Durrësit se përse është sulmuar nga multimiliarderi George Soros.

Berisha tha se bëhet fjalë vetëm për qëndrime parimore. Sipas tij, Soros kontrollon të gjitha OJF-të në vend, të cilat janë vendosur nën kontrollin e qeverisë.

Berisha tha se ka qenë kundër Sorosit sepse ai ka bërë gjithçka që reforma në drejtësi të vendoset nën pushtetin e Edi Ramës. Për këtë ai solli shembullin e vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë në favor të Saimir Tahirit.

“Në të njëjtën kohë kur atje ekzekutohej polici nga narkobanditi, këndej jo vetëm nuk dënohej Saimir Habili, por prishej procesi dhe dërgohej sërish në gjykatën e partisë. Me këtë reformë nuk kam qenë dakord unë. Unë jam me parimin që kushdo, i majtë apo i djathtë, duhet të gëzojë një proces të drejtë,” tha Berisha.

Sipas tij, çështja tjetër e përplasjes me Soros lidhet me ndarjen e Kosovës.

“Çështja madhore e imja me Soros është se ai futi në axhendë shpërbërjen e Kosovës. Unë nuk pajtohesha kurrë me këtë. Kam kundërshtuar Mini-Shengenin dhe Ballkanin e Hapur, pasi hegjemonia serbe nuk sjell stabilitet. Ata mbeten problemi kryesor i paqes në rajon,” tha Berisha.