Justifikimet/ Pse Rama nuk kishte në axhendë një takim me presidenten Vjosa Osmani?

Vizitën e parë si president në detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani e bëri në Shqipëri në 17 dhjetor të vitit të kaluar. Por edhe pse qëndroi tre ditë dhe mbajti një fjalim të fortë në parlament, ajo u injorua nga kryeministri Edi Rama, i cili “nuk pati kohë” as për një takim kortezie apo protokollar.

Duket se Edi Rama nuk i kapërdiu dot deklaratat e mëhershme të Vjosa Osmanit për çështjen e traut, që qeveria e Shqipërisë ka vendosur në rrugën e Kombit që lidh dy shtet shqiptare.

Në atë kohë kryeministri i Shqipërisë, do ta sulmonte hapur presidenten Osmani duke e quajtur qëndrimin e saj “grotesk”.

“Akoma më grotesk është debati për traun. Paraqitet trau i pagesës së rrugës si kufi i  i vendosur me Kosovën. Kjo është të bësh politikë të brendshme me një çështje administrative me një vend fqinj, e të vish në Tiranë e të bësh propagandë për të fituar vota në Kosovë. Ai tra atej nuk ësht kufi mes Shqipërisë dhe Kosovës, sikundër trau i ri që do të vihet nesër në rrugën Milot-Fier, që nuk është kufi mes Shkodrës dhe Fierit. Deklaratat e saj janë groteske dhe jo dashamirëse. Nësë për zonjën Osmani, atdheu është Kosova dhe Shqipëria, atëherë ky  është një tra në mes të atdheut, që do ta paguajnë të gjithë atdhetarët kontributin për atë rrugë, që  është një rrugë e atdheut dhe vlen kjo për të gjithë ata  që e përdorin rrugën”, deklaroi ai atëherë, pasi u pyet për shkaqet e injorimit që i bëri vizitës së Osmanit në Tiranë.

Por edhe në vizitën e tij të fundit që bëri në Prishtinë, Edi Rama, pavarësisht se u duk “më i ngrohtë” me aleatin e ngushtë të presidentes, kryeministrin Albin Kurti, Vjosa Osmani u injorua edhe “në shtëpi të saj”.

Ka qenë mbrëmjen e djeshme ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, i cili është përpjekur që të justifikojë dhe sqarojë, se përse kryeministri Edi Rama nuk  e takoi gjatë vizitës së tij në Prishtinë (këtë të hënë) presidenten Vjosa Osmani.

I ftuar në emisionin “Dekalog” të gazetarit Roland Qafoku në RTSH 24, Minxhozi  fillimisht tha se gjithçka lidhej me faktin, se Osmani ka qenë jashtë Kosovës. Por e vërteta është se presidentja është kthyer nga SHBA në Prishtinë një ditë me herët se të shkonte Rama aty, ditën e diel.

Pasi ju vu në dukje ky fakt, ambasadori u justifikua se ishte vonë për të ndryshuar axhendën dhe se takimet ishin shumë intensive!

Pjesë nga debati, për marrëdhënien Rama-Osmani

Zoti ambasador, a ka patur kërkesë nga kryeministri Edi Rama për takim me presidenten Osmani?

Problemi është se kryeministri i Shqipërisë dhe Kosovës janë dakorduar për programin e vizitave që ditën e dielë. Ka qenë një program shumë i ngjeshur. Për të hequr çdo aludim që mund të ngrihet për këtë çështje unë po them që nga ora 08.20 kur delegacioni i Shqipërisë ka mbërritur në aeroportin “Adem Jashari” dhe deri në orën 17.00 kur ka qenë kulmi i vizitës janë realizuar 10 takime dhe vizita të ndërsjellta.

A është çështje kohe kur takohet kryetari i një partie që përfaqëson 7 për qind të popullsisë dhe të mos takosh presidenten?

Të jeni të sigurtë që nëse zonja Osmani do ishte në Kosovë kryeministri Rama do ta takonte atë patjetër. Ashtu si edhe kryetarin e Kuvendit i cili erdhi në limitet e fundit të kohës.
Takimet përgatiten me ftesë, nuk përgatiten në çast.

Po pikërisht me ftesë. Nuk ka patur kërkësë nga kryeministri sepse ka qenë një vizitë shumë e shpejtë. Shumë intesive dhe një kohë limit në maksimum. Nuk ka qenë një vizitë e planifikuar javë më parë ku do shikohej ku është njëri dhe ku është tjetri. Dhe shpesh herë ndodh që edhe gjatë vizitave në Shqipëri, jo të gjithë udhëheqësit ndodhen aty.