Rikthimi i vizave/ Del dokumenti i rëndë, Gjermania: Ky është opsion real

Liberalizimi i vizave me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe disa vende të tjera si Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina shihej si arritja më e madhe e Bashkimit Europian. Por një ditë pasi Reuters raportoi se Bashkimi Europian për herë të parë po deklaron se zgjerimi i BE-së nuk është i garantuar, vjen një lajm edhe më i rëndë.

Agjencia e Brukselit, EuObserver raporton se një dokument i brendshëm i Bashkimit Europian sugjeron se mund të rikthehet lëvizja me viza për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe tre vendeve të tjera.

Shkak janë bërë abuzimet me lejet tremujore të lëvizjes së lirë në BE dhe kërkesat e shumta për azil.

Dokumenti mban datën 27 shtator, një ditë përpara se presidentja e KE, Ursula von Der Leyen të niste turin në rajonin tonë. Agjencia e Brukselit raporton se kërcënimi i rikthimit të vizave në rajon është më pranë se kurrë. Sipas agjencisë, kjo çështje po diskutohet në mënyrë aktive.

Në rast se BE bie dakord, mund të aktivizohet Mekanizmi i Pezullimit të Vizave. Ky mekanizëm për herë të parë ishte kërkuar të aktivizohej nga Holanda për rastin e Shqipërisë, por u refuzua nga Komisioni Europian.

Por tani çështja është më serioze dhe shtetet më të shqetësuar janë treshja kryesore e BE-së: Franca, Gjermania dhe Italia.

Madje Gjermania po udhëheq lëvizjen e pakënqësisë. Sipas Berlinit, rikthimi i vizave është opsion real.

Në rast se nuk do ketë përmirësime ose do ketë vetëm pak përmirësime në regjimin e lëvizjes së lirë, vizat do të rikthehen, raporton EuObserver.

Në dokument bie në sy fakti se Gjermania si një avokate e madhe e integrimit dhe lëvizjes së lirë, bie dakord që të rikthehet regjimi i vizave, duke fajësuar Shqipërinë, Serbinë, Gjeorgjinë, Moldavinë dhe Ukrainën për situatën e krijuar.

Pavarësisht pandemisë, Gjermania thotë se ka regjistruar një numër të konsiderueshëm shkeljesh të lejeve të qëndrimit nga shqiptarët, moldavët dhe ukrainasit. Edhe Franca është e shqetësuar për Shqipërinë, por edhe për Gjeorgjinë.

Ky lajm vjen në prag të një samiti mes BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku priten disa zotime formale pa shumë ndikim në rrugën e integrimit.