VIDEO/ Shënoi golin e parë me PSG, flet Leo Messi: Jam shumë i lumtur, edhe shumë të tjerë...

Lionel Messi shënoi mbrëmjen e djeshme golin e tij të parë me fanellën e Paris Saint Germain.

Messi e nisi ndeshjen derbi të raundit të dytë të Ligës së Kampionëve kundër Manchester City në 11 -shen titullare të klubit parizian, dhe për herë të parë me fanellën e francezëve, ai tundi rrjetën.

PSG kaloi në epërsi me Idriss Gueye në minutën e 8 -të, ndërsa në minutën e 74 -të Messi pas një njësh – dyshi me Kylian Mbappe, realizoi një supergol në portën e anglezëve për 2: 0.

Pas ndeshjes, Messi dha një prononcim për mediat, ku u shpreh se ndihet i lumtur për golin e parë të shënuar me PSG-në.

“Ishte një natë e përkryer kundër një kundërshtari të madh. Për ne, ishte shumë e rëndësishme të fitonim pas barazimit me Brugge”, tha Messi.

“Jam shumë i lumtur që shënova. Edhe shumë të tjerë do të vijnë. Nuk kam luajtur shumë kohët e fundit. Këtu kisha luajtur vetëm një ndeshje. Po adaptohem dalëngadalë, por e rëndësishme është të vazhdojmë të fitojmë”, shtoi ai.

Ky ishte goli i 121-të i Messit në Ligën e Kampionëve dhe tani 34-vjeçari është vetëm 14 gola mbrapa rivalit dhe njeriut që ka shënuar më së shumti në këtë garë, Cristiano Ronaldos së Manchester Unitedit.