Teatri i Kukullave/ Reagon Ministria e Kulturës, asnjë info për godinën monument kulture

Ministria e Kulturës ka reaguar në lidhje me lajmet e Syri Tv për fatin e Teatrit të Kukullave. Në reagim bëhet me dije se projekti për restaurimin e Teatrit të Fëmijëve fillon  në javën e tretë të muajt tetor, pa dhënë asnjë shpjegim se si do të procedohet me objektin ekzistues.  E kontaktuar nga Syri Tv Arta Dollani, drejtore e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore iu shmang pyetjes për fatin e godinës së Teatrit të fëmijëve duke hequr kompetencat nga institucioni që drejton

Nga SYRI TV

Pas lajmeve të Syri Tv për fatin e godinës së Teatrit të Kukullave që ka shërbyer se godina e parlamentit të parë shqiptar për zhvendosjen e tij, së bashku me Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, në zonën pranë Gardës së Republikës, ka ardhur një reagim zyrtar i Ministrisë së Kulturës.

Ky institucion bën me dije se në javën e tretë të muajit tetor do të nis restaurimi i godinës së Teatrit të Kukullave, që do të zgjasë 14 muaj, deri në dhjetor të vitit 2022, megjithatë nuk jepet asnjë shpjegim se si do të procedohet me objektin ekzistues, nëse ai do shërbejë sërish si Teatri i Kukullave apo do ketë funksion tjetër.

E kontaktuar nga Syri Tv, Arta Dollani, Drejtore e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, në lidhje me fatin e godinës ekzistuese, Dollani iu shmang pyetjes duke pohuar se nuk është në kompetencat e institucionit që drejton.

Sinjalet e para për shkatërrimin e godinës i dha kryeministri Edi Rama, kur e quajti Teatrin e Kukullave një karakatinë që na turpëron para fëmijëve.

Po çfarë do të ndodh me Teatrin e Kukullave, akoma ngelet një pyetje pa përgjigje.

Ndërhyrjet që do të bëhen në Teatrin e Fëmijëve konsistojnë në: restaurimin e pjesëve të dëmtuara të çatisë, në  dyshemesë,  tavane, mure dhe kolona, përmirësim të auditorit dhe vendosjen në funksion të hapësirave anësore të godinës, pa sqaruar nëse në përfundim të këtyre punimeve që parashikohen, kjo godinë do të vijojë të shërbejë si vend ëndërrimesh për fëmijët.

Ministria e Kulturës kërkon që të projektohet që godina duhet të integrohet në gjelbërimin e parkut, përfshirë këtu programet publike që kanë nevojë për rinovim dhe zgjerim, por ndërkohë në dokumenta nuk shkruhet se çfarë do të ndodhë me godinën ekzistuese.