'Kaq e dija, kaq e thashë, merre Tefik se ta lashë'- (Gjyshja ime i jep mësim Bashës)

Me sa po duket Luli po ndjek përrallën e ëndrrës së gomarit. Që ujku po e shqyente e ai thosh: ”Zot bëje gënjeshtër!” Tashmë jo veç demokratët, por edhe krejt shoqëria shqiptare e kanë bindje se ky njeri nuk çon në fitore. Shkurt nuk çon askund. Ngaqë nuk ngjall shpresë, nuk krijon frymë e tani pas 8 vjetësh edhe nuk i besojnë më fjalëve e përbetimeve të tij. Kupa u mbush me aktin e përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar. Një vendim i pambështetur në statut dhe alogjik. Ke një akuzë e po të mënjanojmë, i thuhet liderit historik. Po qe për akuza ka pasur plot të tilla Basha e askush nuk ia kërkoi të ikte nga drejtimi i PD-së.

Që situata të çdramatizohet e që Basha të jetojë “i lirë” në kafazin e SHQUP-it deklamohet që PD-së ia kërkoi Amerika largimin e Berishës. Pas kësaj bëhet propagandë, Berisha po sulmon ngaqë nuk e pranon këtë akt, këtë vendim gjoja historik të Lulit.

E vërteta është, Berisha u ngrit nga hiri me një mision të madh. Të ngjallë shpresën te demokratët. Jo duke u bërë vetë ai kryetar, por duke kërkuar që të hiqet Basha nga kryetarllëku pasiv dhe pa fryte. Nga një drejtim shterp, që në katër palë zgjedhje solli hiç fitore.

Sot nga qyteti në qytet Berisha si ai marathonomaku po çon stafetën e shpresës. Me idenë e zgjedhjes së një kryetari të ri që do e hapë e do e zmadhojë partinë me rini, me intelektualë, me shqiptarë që i besojnë dhe luftojnë për fitore.

Basha sot e mot është e ka qenë një rubinet i bllokuar. Asnjë pikë ujë nuk rridhte prej andej. Ketë po zhbllokon Berisha, që uji i së nesërmes  të mos ndalet nga Lulzim ndryshku.
Gjyshja ime, ndjesë pastë, në fund të përrallave që na tregonte kishte edhe frazën: "Kaq e dita, kaq e thashë, merre Tefik se ta lashë.” Edhe në përralla, që ajo mos bëhej monotone, e mërzitshme, ia linte radhën dikujt, që në rastin e saj quhej Tefik, por që sot mund të ketë plot emra të kohës. Mbaronte tregimin e ne prisnim përrallën pasuese, që do na i rrëfente ai tjetri. Gjyshja qysh atëhere këtë sikur e kishte leksion pér Bashën. Mjaft na tregova përralla, bir. Boll na ngope me shpresa të kota, me përbetime fallco, me himnin zëngjirur. Kaq dije, kaq na the. Tani lerja radhën dikujt tjetër. Se tjetër duan të gjithë. Ndryshe, nëse nuk ikën, do të të heqin. Ashtu butë-butë se kur të largon shumica nuk ndjen dhimbje. Por ti do bindesh, mbase pa dëshirë, por ama bindesh. Se s’ke rrugë tjetër. S’ke…