Njësoj si Merkel/ Edhe Von der Leyen nuk denjon ta përmendë ‘Ballkanin e Hapur’

Ashtu siç ndodhi gjatë vizitës së kancelares Angela Merkel dhe pavarësisht këmbënguljes së kryeministrit Edi Rama, gjatë konferencës për mediat ditën e sotme as presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, nuk ka denjuar që ta shqiptojë emrin “Ballkan i hapur”.

Presidentja e KE duke iu përgjigjur interesit të mediave ka deklaruar qartë, se BE mirëpret çdo nismë që është vetëm brenda kuadrit të Procesit të Berlinit.

Ajo gjithashtu foli për domosdoshmërinë e pjesëmarrjes të të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në çdo iniciativë rajonale, por gjithmonë brenda procesit të Berlinit.

“Po të shohim ecurinë ekonomike dhe thellimin e marrëdhënieve dhe tregun e përbashkët rajona, mendoj se Procesi i Berlinit është kuadri që po shtyn procesin dhe integrimin përpara si kuadër që 6 vendet e rajonit dhe ekonomitë e tyre nga të cilat përfitojnë. Kjo ka qenë përvoja jonë në BE. Çdolloj iniciative brenda Procesit të Berlinit, apo bashkëpunuese mirëpritet prej nesh. Nuk duhet të shohim fjalët, por kontekstin. Të jetë process i hapur, gjithpërfshirës, i shtyn të gjithë të ecin përpara, i fton të gjithë dhe thellon bashkëpunimin që të ketë integrim të thellë. Kjo është pjesë e procesit”, deklaroi ajo.

Nga ana tjetër kryeminstri Rama i pakënaqur nga përgjigjia e Von der Leyen, ka sulmuar sërish vendet e BE-së duke e lidhur ngecjen e Shqipërisë drejt integrimit, vetëm me problemet e tyre të brendshme.

“Nuk jam i zhgënjyer, që të zhgënjehesh duhet të gënjehesh. Nuk më ka gënjyer mendja që ky proces është i parashikueshëm. S’kam zhgënjim, e di çfarë ndodh në BE, e di çfarë ndodh në Këshill Europian, njëherë ka zgjedhje, tjetri zgjedhje, vijnë të tretët nxjerrin diçka. Kjo është mënyra si funksionon. Nuk kam gjë. Është mënyra si është organizuar BE, kërkon durim, kohë, qetësi. Ajo që për ne është e rëndësishme, nuk është se e bëmë apo jo një konferencë me zoom, duhet të bëjmë punën. Për sa kohë kemi mbështetjen e KE, asistencën me të gjithë dijen dhe ekspertizën e BE, objektivat përpara, realizojmë objektivat, e kemi bërë detyrën. Për një gjë që nuk varet nga ne, s’kemi arsye të gënjehemi a zhgënjehemi. E them pa ironi, cinizëm. Ky është realiteti, nuk e ndryshojmë dot botën. Mund të ndryshojmë Shqipërinë, BE e ndryshojnë ata që e themeluan dhe që janë brenda tij sot. Nëse duan ta ndryshojnë, për aq sa munden, ne nuk e ndryshojmë dot. S’mund të imponohemi, duhet t'i imponohemi të ardhmes me punë. BE është aleat i pazëvendësueshëm”, ka thënë Rama.