Presidentja e KE vijon takimet: Keni bërë progres me reformën në drejtësi

Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Presidencë, ku është është pritur nga Kreu i Shtetit, Ilir Meta.

Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, shefja e KE-së shprehet se BE është në anën e Shqipërisë, teksa rendit edhe prioritetet e përbashkëta që nga pandemia, krijimi i vendeve të puëns dhe zhvillimi ekonomik.

“Ne punojmë krah për krah për të siguruar një shërim të qëndrueshëm nga pandemia. Europa është në anën tuaj, me 430,000 doza të dhuruara për Shqipërinë. Prioritetet tona të përbashkëta: Shpejtoni vaksinimin; Krijimi i vendeve të punës dhe rritja me Planin Ekonomik dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor”, shkruan Von der Leyen.

Kurse pas takimit me Ramë, ajo bëri një tjetër postim, duke theksuar progresin e reformës në drejtësi.

"E kënaqur që fillova vizitën time në Ballkanin Perëndimor në Shqipëri. Mesazhi im është i qartë: e ardhmja e Shqipërisë është në BE. KE i qëndron fort këtij angazhimi. Me përparim të mirë në reformë në drejtësi, Shqipëria ka arritur progres. Tani BE -ja duhet të mbajë fjalën".

Përpara Samitit BE-Ballkani Perëndimor që pritet të mbahet më 6 tetor, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të jetë në Ballkanin Perëndimor nga e marta deri të enjten, për të vizituar Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnjën dhe Hercegovina.