Vuçiç e përdori sërish Ramën/ E vërteta e mesazhit për Prishtinën

Deputeti socialist Etjen Xhafaj deklaroi dje se kryeministri Edi Rama ka folur me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç për tensionet në veri të Kosovës. Mesazhin e Vuçiç, Rama e përcolli te Prishtina zyrtare

Njësitet Speciale të Kosovës u vendosën në kufi që në ditët e para të trazirave, kur serbët vendosën barrikadat për të bllokuar pikat kufitare të Jarinjës dhe të Bërrnjakut. Reagimi erdhi pas hyrjes në fuqi të reciprocitetit të targave dhe kryeministri i Kosovës ka vënë në dukje se protestuesit serbë ishin të importuar në grupe të nxitur për të provokuar destabilitet.

Para se situata të përshkallëzohej, kërkesa e Vuçiç ishte e menjëhershme: të tërhiqeshin njësitet speciale të Kosovës nga zona e barrikaduar. Gjatë një vizite në Hungari, Vuçiç e artikuloi këtë kërkesë që në ditët e para të situatës që u krijua.

“Ne i kemi përmbushur detyrimet, ndërsa Prishtina jo, dhe kjo është më e rëndësishmja. Edhe Shën Pjetri të më telefonojë, nuk do të ma ndryshojë mendjen, pasi zgjidhja e vetme është tërheqja e njësive speciale, në të kundërt nuk ka dialog”, tha Vuçiç.

Përgjigjen për kërkesën e Vuçiçit e dha Albin Kurti që në fillim të javës, në një deklaratë në takimin me ambasadorët e vendeve të Quintit.

“Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar, njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare. Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpiejnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre”, tha Kurti.

Por ajo që habiti ditën e sotme, në vizitën e kryeministrit Rama në Prishtinë ishte se ai, pavarësisht se i dha të drejtë Kosovës për reciprocitetin e targave, përsëriti atje, të njëjtën kërkesë që kishte artikuluar Vuçiçi, për tërheqjen e njësiteve speciale.

“Duhet bërë kujdes që çuarja e njësive speciale në atë zonë, nga nevoja për t’u siguruar se nuk cenohet siguria dhe rendi publik në momentin e shtrimit të problemit, të mos kthehet në një problem mes vetë Kosovës dhe miqve e partnerëve ndërkombëtarë”, u shpreh Rama.

Kurti e ka kundërshtuar propozimin e kryeministrit të Shqipërisë në të njëjtën konferencë. Ai ka përsëritur të njëjtën përgjigje që i dha Vuçiçit, se njësitet speciale do të vazhdojnë të qëndrojnë në kufi për të siguruar rendin dhe degradimin e situatës.

“Njësia speciale e Kosovës nuk është në Bërnjak dhe në Jarinje në mënyrë që të kënaqemi dhe t’i gëzohemi kësaj situate. Ata janë aty në detyrë dhe detyra e tyre është të mbrojnë pikat kufitare dhe policët kufitarë. Ne kemi mjaftueshëm indikacione që po të mos ishte njësia speciale e policisë së Kosovës në Bërnjakë dhe në Jarinje, policët tanë kufitarë dhe godinat aty do të ishin të rrezikuara seriozisht”, tha Kurti.

Rama bëri një paralelizim të vendimit për të mbajtur njësitet speciale në kufirin verior të Kosovës me taksën 100% për produktet serbe, duke thënë se ka ardhur momenti që trupat të tërhiqen, përndryshe vendimi mund të kthehet në “boomerang”. Vizita e Ramës në Kosovë u karakterizua nga një gjuhë më e butë e kryeministrit të Shqipërisë përkundrejt politikanëve të Prishtinës, megjithatë pavarësisht fjalorit të zgjedhur dhe situatës delikate, edhe një herë tjetër Rama u pozicionua kundër qeverisë së Kosovës./LAPSI