E ndaloi Trumpin të fillonte luftën?! Gjenerali më i lartë i SHBA përballë pyetjeve përvëluese në Kongres

Mark Milley është përgatitur për një seancë të tensionuar të marrjes në pyetje pasi një libër thoshte se ai mori masa, për të parandaluar Presidentin Trump që të fillonte një luftë

Gjenerali i lartë amerikan do të dalë para Kongresit të martën në atë që pritet të jetë marrja në pyetje më e ashpër e një oficeri të lartë ushtarak amerikan në më shumë se një dekadë.

Kryetari i shefave të përbashkët të shtabit, Mark Milley, mund të presë një marrje armiqësore në pyetje nga republikanët në Komitetin e shërbimeve të armatosura të Senatit pas rrëfimeve në një libër të kohëve të fundit se ai ka kryer akte të mosbindjes për të parandaluar që Donald Trump të fillojë një luftë si një devijim nga humbja e tij zgjedhore vitin e kaluar.

Në librin me titull "Peril", gazetarët e ”Washington Post”, Bob Woodward dhe Robert Costa shkruajnë se Milley i ka telefonuar dy here homologut të tij kinez për ta siguruar se SHBA-ja nuk do të kryejë një sulm të papritur dhe se gjenerali amerikan do të paralajmërojë Pekinin nëse Presidenti përpiqet të urdhërojë ndonjë sulm.

Sipas librit, Milley gjithashtu urdhëroi oficerët e caktuar në dhomën e luftës në Pentagon që ta njoftonin nëse Trump do të urdhëroi një lëshim bërthamor, pavarësisht faktit se kryetari i shefave të përbashkët nuk është në zinxhirin e komandës.

Milley do të përballet me senatorë të lartë republikanë që kanë bërë thirrje për dorëheqjen e tij që kur doli libri këtë muaj. Disa demokratë, megjithëse përgjithësisht mirënjohës që Milley ndërhyri për të përjashtuar një devijim potencialisht katastrofik ushtarak të urdhëruar nga një President i paqëndrueshëm dhe i mundur, janë gjithashtu të shqetësuar për precedentin që krijon për balancën e ardhshme të fuqisë midis udhëheqësve civilë të zgjedhur dhe gjeneralëve dhe admiralëve amerikanë.

Qëllimi zyrtar i seancës në Senat është të dëgjojë dëshminë mbi "përfundimin e operacioneve ushtarake në Afganistan dhe planet për operacionet e ardhshme kundër terrorizmit".

Milley, së bashku me sekretarin e mbrojtjes, Lloyd Austin dhe kreun e komandës qendrore amerikane, gjenerali Kenneth McKenzie, do të përballen me pyetje të rrepta nga të dyja palët mbi ditët e fundit kaotike të pranisë ushtarake 20-vjeçare amerikane në Afganistan dhe pse disa afganëve, të cilëve u ishin dhënë viza të veçanta emigruese ose kishin aplikime për viza në pritje, u braktisën pasi Kabuli ra në duart e talebanëve.