Afganistan/ Shefi i Bankës Islamike paralajmëron kolapsin në sistem

Sistemi bankar i Afganistanit është afër kolapsit, tha shefi i njërit prej huadhënësve më të mëdhenj të kombit për BBC.

Syed Moosa Kaleem Al-Falahi, Shefi Ekzekutiv i Bankës Islamike të Afganistanit, tha se industria financiare e vendit është në prag të një krize ekzistenciale, ndërsa klientët janë në panik.

“Ka tërheqje të mëdha duke ndodhur për momentin”, tha ai, duke folur nga Dubai, ku është vendosur përkohësisht për shkak të kaosit në Kabul.

“Vetëm tërheqje po ndodhin, shumica e bankave nuk po funksionojnë dhe nuk ofrojnë shërbime të plota,” shtoi ai.

Ekonomia e Afganistanit ishte tashmë në terren të lëkundur edhe para se talebanët të merrnin kontrollin në gusht.

Ajo është jashtëzakonisht e varur nga ndihma e huaj, rreth 40% e prodhimit të saj të brendshëm bruto (PBB) vjen nga ndihma ndërkombëtare, sipas Bankës Botërore.

Por që nga marrja nën kontroll e talebanëve, Perëndimi ka ngrirë fondet ndërkombëtare, përfshirë asetet që Afganistani mund të ketë pasur me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN).