UEFA dorëzohet: anulon zyrtarisht sanksionet ndaj Juventusit, Real Madridit dhe Barcelonës

UEFA mbrëmjen e të hënës njoftoi anulimin e procedurave ndëshkimore ndaj Juventusit, Real Madrid dhe Barcelonës. Tre klubet evropiane ishin nën hetim për përpjekjen për të krijuar Superligën, ndërsa nëntë klubet e tjera në favor të projektit vendosën të tërhiqeshin vetëm disa orë më vonë. Nga ana e tyre, të tre klubet kishin argumentuar në gjykatë se përpjekja e UEFA -s për t'i ndëshkuar për krijimin e një lige tjetër ishte në kundërshtim me ligjin evropian të konkurrencës. Procedurat disiplinore ishin pezulluar, me kërkesë të Gjykatës së Madridit, por tani janë mbyllur përfundimisht.

Komunikata e publikuar dje bëri të ditur se të gjithë klubet ishin lajmëruar se nuk kishte sanksione ndaj tyre për sa kohë që rreth çështjes në fjalë nuk kishte ardhur vendimi përfundimtar nga gjykatat europiane të cilat po trajtojnë çështjen e “monopolit” të UEFA-s për kompeticionet kontinentale. Një tërheqje që duket si një humbje e qartë për Ceferin, i cili kishte sulmuar vazhdimisht Superligën, pasi ajo mund të konkurronte turne si Liga e Kampioneve si dhe t’i shkaktonte humbje të mëdha financiare kësaj organizate.