Trajneri i Kukësit vlerëson rivalët, tregon kush është ekipi më i mirë shqiptar

Diego Longo nuk mund të fshihte zhgënjimin për barazimin ndaj Laçit në një ndeshje të cilën Kukësi po e fitonte 0-2.

Tekniku italian e vë theksin te rastet e shpërdoruara, duke theksuar: “Luajtëm kundër një skuadre të fortë, agresive dhe të organizuar mirë. Nuk e di se sa ekipe mund të vijnë këtu dhe të dominojnë ndeshjen. Ne kishim shumë raste, nuk e dimë se sa ishin, nuk i shfrytëzuam dhe erdhi ky barazim.

Nuk mund të them se jam i kënaqur, kishim lojën në dorën tonë. Është ekip i ri, me djem të rinj. Më kënaq loja, çdo ekip do kohën e vet të ndërtohet. Duhet të përmirësohemi fillimisht para, pasi nuk shënojmë shumë. Kishim shumë raste, por nuk shënuam.

Normalisht duhet të përmirësohemi dhe prapa, por mekanizmat kanë funksionuar. Ishte vetëm një futbollist 21-vjeç që duhet përmirësuar dhe ka kohë”.

Rivalët e Kukësit: “I shikoj praktikisht të gjitha ndeshjet, për të parë se si duhet të përgatitemi ndaj tyre. Për mendimin tim, ekipi më i mirë është Vllaznia, më pas vjen Teuta, jo se nuk është Partizani dhe Laçi, por Vllaznia ka diçka më shumë”.