‘Nuk doja ta qëlloja, por ...’/ Dëshmia e të riut që plagosi studenten në Vlorë

Një ditë pasi qëlloi me armë zjarri në drejtim të një studenteje në Vlorë, me të cilën kishte pasur lidhje intime dhe se ajo donte t’i jepte fund marrëdhënies, autori i dyshuar i ngjarjes ka deklaruar para uniformave blu, se nuk kishte qëllim për ta qëlluar me pistoletë.

Sipas dëshmisë së dhënë në Policinë e Vlorës pas arrestimit, Fadil Likaj ka deklaruar se kishte qëlluar me armë vetëm për ta trembur.

‘Tentova ta trembja. Nuk kisha si qëllim që ta qëlloja’, mësohet të ketë deklaruar Likaj gjatë së dielës, shkruan Panorama.

Burime nga Policia e Vlorës bënë me dije se gjatë dëshmisë së tij, 30-vjeçari ka shfaqur gjendje të rënduar psikologjike për aktin e bërë.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e së shtunës në qytetin e Vlorës, ku 20-vjeçarja nga fshati Cukalat i Beratit, Kostandina Zanaj, mbeti e plagosur me armë zjarri.

I riu nga Shkodra dhe e reja nga Berati që studionte në Universitetin e Vlorës, kishin pasur lidhje intime midis tyre, ndërsa gjatë së shtunës vajza kishte zhvilluar takimin e fundit me të me qëllim për t’u ndarë përfundimisht.

Takimi ishte lënë në një nga lokalet e qytetit dhe pasi kanë debatuar me tone të larta, 30-vjeçari Likaj, e ka nxjerrë me forcë prej ambienteve të barit. Në sherr e sipër, ai e ka qëlluar me armë zjarri tip pistoletë. Zanaj ka marrë një plumb në pjesën e këmbës dhe ka përfunduar në Spitalin e Vlorës ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

‘Më datë 25.09.2021, rreth orës 12:05, në vendin e quajtur ‘Bar Cacai’, lagjja ‘28 Nëntori’, Vlorë, është plagosur me armë zjarri shtetasja K.Z, 20 vjeçe lindur në Berat, studente në Vlorë, e cila është shoqëruar për në spital për ndihmë mjekësore, momentalisht jashtë rrezikut për jetën’, sqaroi Policia. Përveç armës së zjarrit, Likaj kishte me vete edhe dy granata dore njërën prej të cilave e ka hedhur në lokal, por fatmirësisht ajo nuk ka shpërthyer’, njoftoi policia për ngjarjen.