‘Tërmet’ në Saksoni, nisin përplasjet në CDU pas ‘katastrofës zgjedhore’

Një natë horror për kristiandemokratët gjermanë.

CDU/CSU, partia e kancelares në detyrë, Angela Merkel, mori vetëm 24.1 përqind në këto zgjedhje, një rekord negativ në historinë e tyre.

Jo vetëm kaq, por CDU për herë të parë në 19 vite është pas socialdemokratëve të SPD. Në total, partia ka marrë 8.9 përqind më pak vota se në vitin 2017.

Një katastrofë zgjedhore u shënua në landin e Saksonisë, ku CDU doli e dyta dhe në vend të parë doli AfD, partia e ekstremit të djathtë.

“Kjo natë zgjedhore për CDU/CSU mund të përmblidhet vetëm me një fjalë: katastrofike,” shkruan gazeta BILD.

Sipas saj, ky rezultat ka ndezur debatin në presidiumin e partisë. Në qendër të kritikave është lideri i partisë dhe kandidati për kancelar, Armin Laschet. Edhe pse rezultati është një dështim historik, Laschet po përpiqet që të bëjë betejën e fundit për mbijetesë politike.

Aii ka thënë se asgjë nuk ka mbaruar dhe se mund të formohet një koalicion ‘Xhamajka’. Kjo nënkupton që CDU (me ngjyrë të zezë) të futet në koalicion me Të Gjelbrit (me ngjyrë jeshile) dhe me liberalët e FDP (me ngjyrë të verdhë).

Në historinë e CDU-së nuk ka ndodhur kurrë që partia të bie nën 30 për qind të votave në zgjedhje.