Olaf Scholz nis ofensivën: Gjermania drejt një koalicioni ‘semafor’?

Socialdemokratët gjermanë (SPD) fituan zgjedhjet e së dielës me një diferencë shumë të ngushtë me kristiandemokratët.

Por ndërsa historia në Gjermani njeh raste kur fituesi i zgjedhjeve nuk ka marrë dot drejtimin e qeverisë, kandidati i SPD për kancelar, Olaf Scholz ka nisur ofensivën.

Ai ka folur në favor të një koalicioni me Të Gjelbrit dhe me Liberalët. Ky koalicion njihet në Gjermani edhe si ‘koalicioni semafor’ për shkak se SPD njihet me ngjyrën e kuqe, Të Gjelbrit me ngjyrën jeshile dhe Liberalët me ngjyrën e verdhë.

“Votuesit e kanë bërë të qartë se kush duhet të formojë qeverinë,” tha ai. Të tre partitë kanë njohur rritje të konsiderueshme në këto zgjedhje, prandaj mandati është i qartë, tha Scholz. “Këto tre parti duhet të udhëheqin vendin”.

Sipas Scholz, votuesit treguan se kristian demokratët e CDU/CSU nuk duhet të jenë në pushtet, por në opozitë.

Më herët ishte folur edhe për mundësinë e një koalicioni tjetër të madh, këtë herë me SPD-në në karrigen kryeministrore. Negociatat për koalicionin e ri në Gjermani zakonisht kërkojnë javë të tëra.

SPD ka siguruar 25.7 për qind të votave, kurse CDU/CSU ka siguruar 24.1 për qind. Partia e Gjelbër ka shënuar rezultatin më të mirë në historinë e partisë, duke u renditur e treta me 14.8 për qind të votave. Liberalët e FDP siguruan 11.5 për qind.