Akuzoi Kosovën për konspiracion, gazetarët 'gozhdojnë' Ramën

Gazetarët kosovarë kanë 'gozhduar' kryeministrin Edi Rama, gjatë konferencës për shtyp me homologun kosovar, Albin Kurti. Ata i thanë se Rama ka deklaruar në krah të kancelares gjermane, Angela Merkel se Kosova bën konspiracion.

Siç ndodh edhe në Shqipëri, Rama akuzoi gazetarët kosovarë, duke thënë se ata nuk e kanë cituar siç duhet.

Edhe pas tensioneve të fundit Kosovë-Serbi, Rama tha se nuk ka ndryshuar qëndrim për Ballkanin e Hapur. Ai thotë se është më i bindur nga çfarë ishte se nisma e re është rruga e përbashkët.

"Nuk më citoni si duhet, edhe njëherë tjetër meqë ma dhatë mundësinë, dua të them, kam pasur shumë mesazhe edhe drejtpërdrejt edhe përmes rrjeteve sociale për shkak të situatës së krijuar nga Kosova ku pavarësisht larmisë së toneve dhe ngjyrimeve, thelbi ishte po tani a je i bindur që nuk bëhet Ballkani i Hapur me Serbinë.

Jam edhe më i bindur nga se çfarë isha. Ballkani i Hapur është rruga jonë e përbashkët. Për të mirë tonë. Ka një dallim sipas meje mes nacionalizmit e patriotizmit. Nacionalizëm do të thotë të duash ta shohësh tjetrin keq, patriotizmi ta duash veten mirë. Kemi një mosdakordësi me Albinin. Kjo është mosdakordësi politike, duhet ta trajtojmë si të tillë.

Sa për ju, shikoni apo nuk shikoni, marrëdhëniet tona nuk ndikohen nga mosdakordësia. Themeli është i natyre tjetër. Kombëtare, vëllazërore, është përtej çdo mosdakordësie politike, ai është themeli i strategjisë tonë, për interesat tona kombëtare. Patjetërsueshmërinë e një ëndrre për të jetuar në një hapësirë të pandarë si europian e shqiptarë. Ajo di të do të vijë, e pashmangshme. Në një Europë të bashkuar, shqiptarët, serbët, maqedonasit, malazezët të jenë të pandashëm. Serbia do e njohë një ditë Kosovën, dhe kërkesa e faljes për krimet e luftës, do të vulosë fundin e luftës së vështirë të paqes.

Jam shumë mirënjohës për mikpritjen e kryeministrit dhe mikut tim, Albin Kurtin. Patriotizmin nuk e kam kuptuar si ndasi e mllef, por bashkim," tha Rama.