Veliaj refuzon përballjet në gjyq/ Tabaku: Nga shpifja do e pësojë

Nënkryetarja e PD, Jorida Tabaku ka qenë sot në SPAK në seancën për padinë që ka ngritur ajo për shpifje ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit nuk u paraqit, teksa Tabaku thotë se ai duhet të përballet me të.

Për deputetet demokrate do të ketë një vendim të drejtë nga Gjykata, por ajo thekson se kjo është dhe një sprovë për drejtësinë e re.

‘’Unë e kuptoj që politika e ditës hedh shumë baltë, akuza. Por në fund duhet të ketë moral. Sa herë gënjen për një kundërshtar, duhet të përballesh me të. Gjatë fushatës Veliaj bëri disa akuza ndaj personit tim, të pavërteta, unë ia lë në dorë sistemit të drejtësisë. Për të qenë dhe pak biblike: kush rron nga shpata, nga shpata vdes, kush rron nga shpifja, nga shpifja do e pësojë. Ja lë në dorë drejtësisë, është një sprovë dhe për ato që të japin rezultatin para njerëzve me para, të pushtetshëm.

Jam e sigurt që do të ketë vendim të drejtë. Nuk më intereson fare çfarë bën Veliaj në këtë moment. Ta dijë që do më ketë mua përballë. S’mund ta kalojmë çdo gënjeshtër. Jam përpjekur të flas me shifra edhe kur e di që në rastin e Veliajt që ka akuza dhe veprime konkrete në vepra korruptive, nuk kam abuzuar kurrë me fjalën.

Veliaj duhet të mbajë përgjegjësi dhe të shërbejë dhe për ministrat e kryeministrat për fjalën që thonë’’- tha Tabaku.