Xhixho: Nis sot një vit i ri shkollor i pazakontë, kjo qeveri tregon me fakte se nuk ka prioritet edukimin

‘’Emocioni i bukur, edhe me lot nënash që nisin bijtë dhe bijat në klasën e parë dhe ankthi i të vegjëlve që për herë të parë do të ulen në bankat e shkollës, vjen këtë vit shoqëruar me një varg pasigurish. Sot duhet të ishte dita e paharrueshme, fokusuar në fotot që të shoqërojnë gjithë jetën. Por, fatkeqësisht nuk është kështu’ ka nisur kështu statusin e saj në Facebook nënkryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim Erisa Xhixho për nisjen e vitit të ri shkollor.

Xhixho gjithshtu thekson se kjo qeveri tregon me fakte se nuk e ka prioritet edukimin, për sa kohë në programin që sapomiratoi në Kuvend nuk kishte asnjë fjalë për buxhetin e dedikuar për arsimin, që sot është më i vogli në rajon me 2,4 % të GDP, kur duhet të ishte minimalisht 5% e GDP, për të rritur cilësinë dhe garantuar punësim të sigurt.

Statusi i plotë:

Emocioni i bukur, edhe me lot nënash që nisin bijtë dhe bijat në klasën e parë dhe ankthi i të vegjëlve që për herë të parë do të ulen në bankat e shkollës, vjen këtë vit shoqëruar me një varg pasigurish. Sot duhet të ishte dita e paharrueshme, fokusuar në fotot që të shoqërojnë gjithë jetën. Por, fatkeqësisht nuk është kështu.

Nis sot një vit i ri shkollor i pazakontë, sfidues, diktuar jo vetëm nga kushtet e pandemisë që po rëndohet sërish.

Nis sot dita e parë e shkollës për arsimin parauniversitar, që trumbetohet të jetë një prioritet kombëtar, por vetëm si i tillë nuk trajtohet. Fatkeqësisht kjo qeveri tregon me fakte se nuk e ka prioritet edukimin, për sa kohë në programin që sapomiratoi në Kuvend nuk kishte asnjë fjalë për buxhetin e dedikuar për arsimin, që sot është më i vogli në rajon me 2,4 % të GDP, kur duhet të ishte minimalisht 5% e GDP, për të rritur cilësinë dhe garantuar punësim të sigurt.

Këtë vit, shkollat presin 10 mijë fëmijë më pak në klasën e parë se një vit më parë, ndërkohë që shumë shkolla mbyllen në Elbasan, Shkodër etj., dhe 350 mësues rrezikojnë vendin e punës për mosplotësim të orëve sipas planit.

Sipas Eurostat mësuesit tanë paguhen mesatarisht 20-50% më pak se në vendet e tjera të rajonit, duke mos iu njohur financiarisht puna e palodhur në kushtet sfiduese të pandemisë.

Pandemia dhe keqmenaxhimi i saj në akses të barabartë në mësimin online pati pasojat e saj në edukimin e brezave.

Raporti i fundit i Bankës Botërore, theksonte se, në vendet në zhvillim me të ardhura të mesme, ku bën pjesë edhe Shqipëria, 63 nxënës në 100 të tillë kanë akses të kufizuar në arsim, e cilësuar ndryshe si varfëri arsimore.

Shumë nxënës nuk kanë pasur qasje në internet gjate pandemisë dhe nuk kanë pasur platforma efikase të të mësuarit online. Për rrjedhojë, më shumë se 60% e nxënësve kanë humbur mundësitë për të përfituar njohuritë sipas programeve dhe kurrikulave mësimore.

Ndërkohë që grumbullimet vazhdojnë normalisht , këtë vit do vijohet me mësimin me turne ,orë të reduktuara që nuk siguron cilesinë e mësimit dhe shkokaton lodhje për nxënësit dhe mësuesit. Në kushtet kur mësuesit janë të vaksinuar ose kanë test pcr dhe nxënësit kanë detyrimin e mbajtjes së maskes dhe respektimin e rregullave të pandemisë.

Do doja sinqerisht të përshëndesja nismën për librat falas për nxënësit e klasave 1-9, por nuk mundem, pasi nxënës e prindër me tregojnë stresin dhe vuajtjen që heqin gjithë vitin, pasi nuk bëjnë dot asnjë shënim nëpër tekste, pasi në të kundër do t’i paguajnë.

Si mund të thuash që kam prioritet arsimin dhe të rinjtë, duke mos e mbështetur këtë gjë me buxhet? Përballë propagandës kemi realitetin e dhimbshëm, sipas Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale 80% e të rinjve duan të largohen nga vendi. Vend, që nuk u ofron sot punësim, meritë, konkurrencë mbi bazën e dijeve.

Jemi përballë një situate alarmante në arsim, me rënie të interesit për shkollën, me rënie të cilësisë.

Mjerisht mbetemi një vend rekord në rajon për numrin e lartë të azilkërkuesve. Nuk janë fjalë kazani këto, janë të dhënat e fundit të Eurostat. Vetëm në korrik kishte 735 kërkesa për azil nga Shqipëria, niveli më i lartë që nga fillimi i pandemisë, me rritje prej 24% në krahasim me muajin e mëparshëm.

Të edukosh të rinjtë është investimi më i madh që bën në emër të së ardhmes për vendin tënd. Por kjo nuk bëhet me fjalë. As vetëm me punën vetëmohuese të arsimtarëve tanë të mrekullueshëm.

LSI ka propozuar politika konkrete për rritjen e buxhetit të arsimit dhe të cilësisë, që nëse zbatohen do të ndikojnë direkt në këtë sektor kaq jetik.

Ne jemi konkretë teksa propozuam urgjencën për:

1) Rritjen e buxhetit për arsimin në 5% të PBB nga të cilat 3% t’i dedikohen arsimit parauniversitar, 1.5% arsimit të lartë dhe 0.5% kërkimit shkencor, përmes taksës së solidaritetit.

2) Vendosjen e taksës së solidaritetit për arsimin në masën 1% të fitimit të 200 kompanive më të mëdha. Me rritjen e cilësisë së arsimit ato përfitojnë burime njerëzore të kualifikuara për kompanitë dhe të rinjtë aftësohen për konkurrencën në tregun e punës.

3) Rritje pagash për mësuesit deri në dyfishim dhe rregullimin e profesionit të mësuesit me një status të veçantë që i garanton ata profesionalisht dhe ndihmon në rritjen e cilësisë dhe performancën në mësimdhënie.

Do doja që e sotmja të ishte një ditë vetëm urimi, fjalësh zemre, si pedagoge, si grua, si nënë, edhe si deputete. Por, bashkë duhet të jemi zëri i së ardhmes, që nuk duhet të ngjajë me të sotmen. Për fëmijët tanë, për vendin tonë, Shqipërinë. [🇦🇱]