Meta, Rama dhe Basha urojnë nxënësit për nisjen e viti të ri shkollor

Kryeministri Edi Rama, presidenti Ilir Meta dhe kreu demokrat Lulzim Basha kanë zgjedhur të urojnë nxënësit dhe mësuesit në ditën e parë të vitit të ri shkollor përmes rrjeteve sociale. Në një postim në Facebook, shoqëruar dhe me video nga shkollat e reja të rindërtuara pas tërmetit, kryeministri Rama uron për suksese dhe mbarësi në këtë rrugëtim të dijes për fëmijët.

“Mirëmëngjes dhe me zilen e parë që bie për disa nga shkollat e reja të rindërtuara pas tërmetit, uroj përzemërsisht çdo nxënës që nis sot vitin e ri shkollor, shumë suksese e mbarësi në këtë rrugëtim të bukur dijeje për të ardhmen. Shqipëria e Ardhmja Jonë”, shkruan Rama.

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha mesazhin e tij për ditën e parë të shkollës e shoqëroi me një  video të nxënësve, mësuesve dhe prindërve. Në urimin për suksese ai e cilësoi ketë vit sfidues për shkak të pandemisë dhe apeloi për kujdes.

“Urime të përzemërta nxënësve dhe mësuesve, anembanë Shqipërisë në nisjen e këtij viti shkollor! Urime prindërve që përmes punës dhe sakrificave ushqejnë ëndrrat dhe ambiciet e fëmijëve të tyre! Urime vogëlushëve që plot emocione ulen për herë të parë në bankat e shkollës, në hapjen e një kapitulli të rëndësishëm për jetën e tyre dhe gjithë shoqërisë sonë! Edhe ky vit i ri shkollor do të jetë sfidues për shkak të pandemisë, ndaj kujdesi nuk duhet të mungojë për të mbrojtur shëndetin e njëri-tjetrit dhe të familjeve tuaja. Suksese të gjithëve”, shkruan Basha.

Urimit për një vit të mbarë shkollor iu shtua edhe mesazhi i presidentit Ilir Meta.

“Një vit të mbarë dhe me plot arritje të shkëlqyera në rrugën e dijes, veçanërisht për vogëlushët, të cilët ulen sot për herë të parë në bankat e shkollës! Urime të ngrohta dhe shumë suksese për të gjithë mësuesit dhe profesorët në misionin e tyre fisnik!”, shkroi Meta.