Hekurudha Fier-Vlorë e gjymtuar, e gatshme vetëm për transportin e mallrave

Në mesin e panoramës së gjelbëruar në jug të vendit është e përshkuar 35 km udhë e hekurt që bashkon Fierin me qytetin bregdetar, Vlorën.

Përgjatë saj janë të vendosur disa fshatra, pemë e barishte të ndërthurura me njëra-tjetrën që duket se janë të papërçueshme. Shtëpitë që janë thuajse të njëjta, si binjake, rrugicat e ngushta të improvizuara nga njerëzit të lënë ndjesinë e një labirinti të vogël, sikur po shikon veten në disa kënde të ndryshme.

E ndërtuar 36 vite më parë kjo arterie përbënte një resurs të lartë ekonomik, veçanërisht për transportin e hidrokarbureve.

“Kjo linjë ka pasur vazhdimisht probleme të vazhdueshme, konsumimet e shinave nga përplasjet hekur me hekur, goditjet, mungesa e ballastit që bën stabilitetin planimetrik. Sado që bëjmë mbushjen e traseve, riparojmë lokomotivat  nuk mbajnë gjatë se janë shumë të vjetra”- thotë mekaniku përgjegjës për problemet teknike brenda dhe jashtë trenit.

Sirena dhe zhurma e lokomotivave dhjetëra vjeçare prej më shumë se 6 vitesh kishte ndaluar. Vagonë të ndryshkur e të dëmtuar, xhama të thyer, lënia pas dore dhe mosfinancimi nga subjektet përkatëse, janë disa nga elementët e dukshëm që ky sektor është i paralizuar, jo vetëm në këtë linjë.

Një investim i shumëpritur duket se do të ngrinte në këmbë këtë vijë hekurudhore e do të fuqizonte zonën. Projekti i vitit 2018 për rehabilitimin e aksit lidhës për 2 nga qytetet më të rëndësishme riktheu edhe njëherë shpresën se një nga transportet më të vjetra mund të gëlonte sërish.

“Lokomotivat dhe vagonët kanë ardhur nga Gjermania që nga viti 2001 dhe kanë qenë të përdorura. Përveçse rregullimit të shinave, mirë do të ishte të sillnin trena të rinj, edhe pse për këtë mendoj se do të duhen shumë vite të tjerë të presim… Sepse duhet një punë kolosale, e mirëmenduar që të bëhet një ripërtëritje e gjithë rrjetit”- shprehet Iliri, një nga inxhinierët në sektorin e hekurudhës.

Duke lënë mënjanë vonesën e fillimit të punimeve, ndryshe nga ç’ishte parashikuar, ky segment bën të mundur vetëm shkëmbimin e mallrave. Stacionet e braktisura nga njerëzit janë kthyer në vendstrehim  për macet e qentë të fshatrave përqark.

Gjendja e mjerueshme e hekurudhës detyroi qeverinë që ta japë me koncesion si një mënyrë për ta rimëkëmbur sadopak.

“Punimet rehabilituese janë kryer nga një shoqëri  koncensionare e cila mbart nën administrim 73,2 km vijë hekurudhore në bashkëpunim me një kompani po të kësaj forme”- thotë inxhinieri.

Kjo vijë dekovilli, emër me të cilin quheshin hekurudhat në kohën e austro-hungarezëve, nuk është e gatshme për zhvendosjen e pasagjerëve, megjithëse kanë kaluar 2 vite nga rikonstruksioni.

Sipas të dhënave nga auditimi i KLSH-së ‘Menaxhimi i transportit hekurudhor në Shqipëri’ arsyeja është bllokimi i kalimit në Urën e Rrogozhinës,  si pasojë e gërryerjes se këmbëve të urës nga shfrytëzimi pa kriter i lumenjve.

Deri në këtë kohë aktiviteti që e mban gjallë është transporti i  mallrave (naftës bruto) dhe ballasit nga rafineria e Fierit te Petrolifera në Vlorë.

“Gjendja e linjës në përgjithësi  paraqitet e mirë, elementet fizike dhe topografike të saj përmbushin kërkesat teknike për peshën e trenave dhe shpejtësinë e lëvizjes së tyre”- shprehet Gramoz Aliaj, shefi i Infrastrukturës Fier-Vlorë.

Ai shton se kanë mbetur ende punonjës besnik ndaj këtij transporti tashmë të harruar prej dekadash, ku në këtë pjesë janë të angazhuar 80 të tillë. Në udhën metalike që përshkon Fierin e Vlorën operojnë 3 lokomotiva të prodhimit çek, 2 prej të cilave bëjnë të mundur transportin dhe 1 për manovër në stacione. Të disponueshëm janë 33 vagonë çisterne dhe për transportin e ballasit janë në gjendje vetëm 2 vagonë.

Kalimet e paligjshme rrezikojnë jetën e banorëve

Shtëpitë e vendosura tangente me hekurudhën , një pjesë që para ndërtimit të saj, nuk ofrojnë siguri për banorët.

“Vështirësia më e madhe haset në kalimet rrugore të paligjshme të cilat intersektojnë hekurudhën. Kjo problematikë është e trashëguar prej periudhës që kjo linjë ka qenë nën administrimin e HSH, dhe jemi në përpjekje të vazhdueshme me qëllim mbylljen e tyre dhe zvogëlimin e riskut për aksidente.

Gjithashtu afrimi i ndërtimeve ndër vite me brezin e sigurisë së linjës hekurudhore, është një burim i shtuar rreziku”- sqaron më tej Aliaj, i cili si drejtues i saj e njihte më së miri situatën.

Më të shqetësuar për këto kalime të rrezikshme janë banorët e Zhupanit në Fier, të cilët për të shkuar në lagjet e fshatit ‘kapërcejnë’ në rrugën prej hekuri me frikën se treni mund të shfaqet aty për aty, pasi edhe siç rrëfejnë ata nuk ka një orar të përcaktuar.

“Trenat e pasagjerëve nga Fieri në Vlorë i kanë hequr, problem për ne janë shinat e trenit. Shkolla është 20 metra larg dhe nuk ka asnjë mbikalim për nxënësit, kur kalon treni jemi më tepër të frikësuar për fëmijët”- shprehet Luan Pashaj, i cili që prej 30 vitesh nuk kishte hipur në tren.

Sipas tij këto rrugica të cilat janë burime për aksidente janë shtuar pas viteve ’90 me ndërtimin e shtëpive të reja.

“Për kalesat hekurudhore të parregullta personat juridikë apo fizikë që kanë ndërtuar kalesën në kundërshtim me dispozitat ligjore mbajnë përgjegjësi në përputhje me legjislacionin në  fuqi”- thuhet në kuadrin ligjor të Hekurudhës Shqiptare.

Sipas këtij kodi Drejtoria e Inspektimit Hekurudhor kur vëren shkelje dhe parregullsi ka për detyrë mbrojtjen , mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe të pezullojë lëvizjen e trenit kur nuk ofron siguri.

‘Ndonjëherë për shmangien e ndonjë fatkeqësie roja i hekurudhës bën paralajmërimet e nevojshme, sidomos gjatë verës kur ka më shumë lëvizje njerëzish”- vijon më tej Luani.

Pak më tutje ndodhet vetëm një mbikalim, që është ndërtuar që me zanafillën e hekurudhës. Megjithatë mbetet i padobishëm për gjysmën e fshatit pasi nuk është i lidhur me rrugën anësore për këmbësorët dhe fëmijë t detyrohen të kalojnë mes për mes ose t’i bien rrotull  nga rruga e gjatë për të shkuar në mësim. 200 familjet e këtij fshati janë të ndara në mes nga ‘pista e vagonëve’ dhe të ekspozuar nga ndonjë fatalitet që mund të ndodhë nga hekurudha e gjymtuar.

“Para disa vitesh u tha se do bëhet një rrugë anash dhe mua më qëlloi të ngushtoja gardhin e shtëpisë, që t’i lihej vend ndërtimit të saj. Siç e shihni edhe këto kanë mbetur vetëm fjalë, nga saga e premtimeve të pambajtura”, rrëfeu  një tjetër banore teksa tregonte dhe portën e sajuar pas ndërhyrjes që i duhej të bënte në kufirin e shtëpisë./ A. Çejku