'Hanko Halla', poema kryevepër e Ali Asllanit

"Hanko Halla" është poema satirike e Ali Asllanit e cila u botua më 1933 në revistën “Minerva”. Kjo vepër shumë shpejt u bë popullore dhe mbeti kryevepra e tij poetike, duke lënë prapa lirikat e dashurisë apo lirikën satirike.

Në thelb të kësaj vepre është një mosmarrëveshje brezash, jo vetëm në konceptin e jetës e të moralit, po para së gjithash të ndjeshmërisë së saj. Halla e ka humbur rininë dhe flet me emocionet e humbjes, kurse nusja do që ta jetojë rininë e saj. Në këto marrëdhënie, kërkesa e Hanko Hallës është kërkesë për mbisundim; nusja duhet të jetë e nënshtruar dhe do të quhet e mirë vetëm nëse e dëgjon vjehrrën.

Zakonet e babës, zakonet e mëmës,
Q' ishinë rënjosur, në themel të zëmrës,
Dhe për vëndin ishin, si eshk' e stërallë,
Që në gji të burrit, Zjar' e mbajnë gjallë,
Zjarrin e arbreshit, zjarrin që ka pasur,
Me atë që botës buzën i ka plasur,
Zjarrin e arbreshit, zjarrin e vatanit,
Zjarrin që bën vendin, vend' i jataganit
Zanatet e mëmës, zanatet e babës,
Gurët e qosheve, të shtëpis e shgabës,
I lam' e i hodhëm, si një gun' të grisur!
Deh moj koh' e krisur, moj pun' e mavrisur!
...
I lam' e i hodhëm, si një gun të vjetër,
Dhe nuk qem të zotër që të bënim tjetër..."