VIDEO/ Reciprociteti, Gruda: Akt sovraniteti! Rrezik të përsëritet historia

I ftuar në SYRI TV me moderatoren Armela Ferko, profesor i së Drejtës Kushtetuese ne Universitetin e Mitrovicë, Përparim Gruda, ka folur për tensionet në veri të Kosovës, pasi Aleksandar Vuçiç po shfrytëzon reciprocitetin për shantazh ndaj Kosovës.

Armela: Vendimi i qeverisë së Kosovës për reciprocitetin e targave me Serbinë. Si ka ndikuar dhe çfarë pasojash po sjell në rrafshin e brendshëm dhe në atë ndërkombëtar me BE?

Gruda: Mendoj që është një vendim i duhur i qeverisë së Kosovës, një akt sovraniteti sepse u vendos ligjshmëria në pikat kufitare në Kosovë. Historiku i ngjarjes atje vijon nga 2013 pasi pala kosovare dhe ajo serbe ka arritur një marrëveshje për lëvizjen e lirë. Është vendim i duhur sepse është vendim ligjor pasi në 2016 kishte një specifikë pasi ishte bërë një marrëveshje e re ku ishte shtyrë zbatimi i reciprocitetit nga ana e Kosovës për 5 vite dhe në 14 shtator ky afat 5-vjeçar ka përfunduar.

Qeveria e Kosovës ka qënë e detyruar ta zbatojë këtë vendim. Ndërkohë ky vendim ka ardhur në një kontekst elektoral pasi ka zgjedhje pas 1 muaji. Kjo padyshim ka pasur dhe një konotacion elektoral, pasi kryeministri Kurti kur ka qenë në opozitë ka kundërshtuar në mënyrë kategorike dialogun me Serbinë, por kur erdhi në pushtet ai u ul në dialog. Kjo pati kosto për qëndrimet e tij dhe për të riparuar këtë imazh politik të dëmtuar, Kurti mori këtë aksion edhe me një interes elektoral pasi jemi para zgjedhjeve.

Ferko: A po sjell kjo një tensionim mes Kosovës dhe Serbisë? A rrezikojmë që të jëmi në skenarin e ‘Taksën 100%’?

Gruda: Jemi në rrezik të përsëritet historia e njëjtë dhe qeveria do detyrohet ta heqë këtë masë reciprociteti pasi mësohet se Serbia do ta kushtëzojë dialogun e ardhshëm me heqjen e reciprocitetit dhe heqjen e njësive speciale nga pikat kufitare në veri të vendit. Me gjasë presioni do jetë i madh ndaj qeverisë së Kosovës që të hiqet kjo masë dhe t'i hapet rruga dialogut.

Konstatimi im vjen pasi historia na tregon që edhe në rastin e qeverisë Haradinaj, kur vendosi taksën, ne u detyruam ta heqim atë. Sepse reciprociteti nuk mendohej dot nga BE si një masë që mund të ekzistojë në kushtet kur pengon dialogun. E kanë bërë të qartë se çdo gjë që pengon dialogun, nuk ka rëndësi nëse është e drejtë, asnjë masë nuk mund të ekzistojë derisa ta pengojë dialogun.

Presioni do jetë i jashtëzakonshëm ndaj qeverisë së Kosovës për ta hequr atë.