Kur amerikanët përfunduan si sekserë për vilat e një autokrati

Shqipëria e drobitur nga hallet e saj dhe e mbingarkuar me lajme të shumta duket se nuk ia ka pasur ngenë këto ditë të merret me një dramë të rëndë që po konsumohet në kufirin mes Meksikës dhe SHBA. Mijëra haitianë të vendosur në një kamp në kushte mizerabël presin deportimin nga SHBA, ndërsa dhuna policore e ushtruar mbi ta po krahasohet me periudhën e skllavërisë.

Ky është një tjetër skandal mbi shpatullat e brishta të presidentit Joe Biden, i cili dje u përball me një tjetër lajm të hidhur. I dërguari special i SHBA për Haitin, Daniel Foote dha dorëheqjen duke theksuar se pamjet e vuajtjeve të haitianëve janë çnjerëzore. Sipas tij, Haiti është një shtet i dështuar dhe i rrënuar edhe për shkak të ndërhyrjeve të SHBA në punët e brendshme, duke mbështetur kandidatë të pavotuar dhe marioneta të Perëndimit. Por 'bomba' e Foote ishte qëndrimi i tij se Haiti nuk do ecë kurrë përpara nëse qytetarët nuk do lejohen të zgjedhin në mënyrë dinjitoze drejtuesit e tyre me votë të lirë dhe të ndershme.

Foote i bashkohet kështu një numri gjithmonë e në rritje ekspertësh dhe politikanësh në botë që e shohin problemin e madh te fakti se Perëndimi jo vetëm nuk po i mbështet dhe nuk po investon te zgjedhjet e lira dhe të ndershme, por po i dëmton ato. Haiti është një shembull ulëritës në këtë drejtim.

Gjithçka në këtë vend të Karaibeve nisi në vitin 1990. Pas revoltave të shumta, qytetarët kishin arritur të rrëzonin diktatorin famëkeq, Baby Doc Duvalier, i njohur për 1001 të zeza, por mbi të gjitha se shpenzoi miliona USD nga buxheti i shtetit për dasmën e tij luksoze.

Vendi do i drejtohej kutive të votimit dhe për herë të parë mund të zgjidhnin të lirë. Jean-Bertrand Aristide fitoi me shumicë të konsiderueshme dhe dukej se Haiti po futej në kursin e duhur. Por gjithçka zgjati vetëm 8 muaj. Më 29 shtator 1991, ushtarët qëlluan mbi banesën e Aristide. Ai shpëtoi me shumë fat dhe arriti të fshihej në parlament. Një sulm i dytë pak më vonë ia doli të kapte të gjallë Aristiden. Grushti i shtetit udhëhiqej nga gjenerali Raoul Cedras.

Aristide nuk ishte një engjëll, por ajo që pasoi i dha dërrmën demokracisë në vend. Në sy të Aristides, Cedras po thurte planin se çfarë do bënin me të, duhej ta varnin aty, ta ekzekutonin apo ta linin të largohej në azil. Për fat fitoi skenari i fundit, pasi rebelët nuk donin ta nisnin pushtetin me një vrasje të këtij niveli.

Cedras mori pushtetin dhe nisi të ekzekutonte kundërshtarët. Në atë kohë ishte një sekret i hapur se CIA kishte mbështetur grushtin e shtetit. Tek e fundit, Cedras ishte diplomuar në programin famëkeq Shkollat e Amerikës të Departamentit të Mbrojtjes në SHBA.

Por shumë shpejt Uashingtoni nisi të ftohej me Cedras, për një arsye që nuk lidhet aq shumë me demokracinë. Haiti ishte bërë një aktor i rëndësishëm në tregtinë globale të drogës dhe pasojat po binin mbi qytetarët e SHBA. Mbi të gjitha ekzistonte frika e zakonshme me çdo autokrat, se sa më shumë kalon koha, aq më i vështirë bëhet rrëzimi i tij.

Një skenar për pushtimin e Haitit u rrëzua dhe presidenti Bill Clinton vendosi të dërgojë anijet ushtarake pranë brigjeve të këtij vendi duke treguar 'dhëmbët' në një operacion të quajtur Ruajtja e Demokracisë.

Cedras nisi të trembej, por si praktikant i magjisë Vudu, u premtonte shtetasve të tij se do i sulmonte amerikanët me një ushtri prej 60 mijë zombish të padukshëm.

Më 8 shtator të vitit 1994, gjashtë praktikantë të magjisë Vudu kryen disa rite para ambasadës amerikane në Haiti. Besojeni ose jo, pas kësaj diçka e rëndë ndodhi në Uashington. Një avion i vogël Cessna humbi kontrollin dhe fluturoi drejt dhomës së gjumit të çiftit presidencial Clinton. Piloti vdiq, por për fat askush tjetër nuk u lëndua. Në Haiti nisi festa. Shpirtrat Vudu ishin në krahun e tyre.

Nuk dihet nëse Clinton u bë supersticioz, por Shtëpia e Bardhë dërgoi në Haiti një delegacion të lartë për të negociuar. Në delegacion ishte ish-presidenti Jimmy Carter, senatori Sam Nunn dhe gjenerali Colin Powell, që e njihte Cedras nga koha kur e stërviste në tokën amerikane.

Treshja e lartë i ofroi gjeneralit Cedras 1 milion dollarë që të largohej nga vendi. Këtu nisi një histori qesharake dhe surreale. Cedras tha se në marrëveshje duhej shtuar edhe dhënia me qira e tre pronave të tij në Haiti, përfshi vilën e mamasë së tij. Nga ky moment, tre diplomatët u kthyen në sekserë dhe nisën punën për të dhënë me qira vilat. Pasi gjetën edhe qiraxhiun e fundit për vilën më të madhe me një vlerë 4 mijë dollarë në muaj, marrëveshja u nënshkrua.

Në orën 3 të mëngjesit më 13 tetor 1994, një avion ushtarak mori gjeneralin Cedras dhe familjen e tij. Po atë ditë, Shtëpia e Bardhë zhbllokoi 79 milion dollarë asete të 600 oficerëve ushtarakë nga Haiti.

Edhe pse u duk se u gjet një zgjidhje, Haiti u fut në një cikël krizash, korrupsioni dhe varfërie. Vetëm para pak ditësh u vra presidenti i këtij vendi, ndërsa emigracioni masiv nuk ndalet.

Sa për Cedras, ai hapi një dyqan në Panama. Më vonë u zhvendos në ishullin Contadora, ku kishte jetuar më parë Shahu i Iranit, të cilin amerikanët e kishin përdorur po ashtu për një grusht shteti pas zgjedhjeve të lira në vend. Çfarë ironie!