Kërkesa e prokurorisë ishte rrëzuar si e paligjshme, rihapet 'Gërdeci'

Gjykata e Posaçme e Apelit ka rihapur çështjen “Gërdeci” duke rinisur hetimet ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu.

Gjyqtarja Saida Dollani pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme- SPAK për rihapjen e çështjes “Gërdeci”.

“Me referimin në parashikimin e pikës 1, shkronja b), të nenit 46, të ligjit 98/2016 “Për Organizimin e Pushtetit Gjyqësor në Republikën e Shqipërisë” si dhe, në interesin e treguar nga media, komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, sot më datë 24.09.2021, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, mbi ankimin e Prokurorit të Posaçëm dhe të trashëgimtarëve të viktimës E.D., u zhvillua seanca gjyqësore në dhomë këshillimi, për çështjen penale nr. 212 akti, datë 03.09.2021 regjistrimi, ku Gjykata vendosi, të ndryshojë vendimin nr. 60, datë 27.07.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke pranuar kërkesën e Prokurorit të Posaçëm dhe revokoi vendimin e pushimit nr. 6, datë 14.09.2009 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, duke i kthyer aktet Prokurorit të Posaçëm për të proceduar”, thuhet në vendim.

Kujtojmë se në korrik të këtij viti, Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit e rrëzoi kërkesën e SPAK për rihapjen e hetimit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu.

Në vendimin e zbardhur mes të tjerave nga ana e gjykatës thuhet se hetimet për Mediun nuk do të nisin për shkak se prokuroria ka vepruar në mënyrë të paligjshme pasi nuk ka pasur pengesa në këto 10 vite për të hetuar, dhe tashmë çështja është parashkruar.

“GJKKO çmon që të evidentojë se edhe pse kuadri kushtetues dhe ligjor përcakton se deputeti nuk gëzon imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij konstatohet se që prej vitit 2012 e në vazhdim (më shumë se 8 vjet), organi i akuzës nuk ndërmori hapat e nevojshëm sipas ligjit për ushtrimin e ndjekjes penale megjithëse tashmë nuk ishte më e nevojshme që të kërkohej të jepej autorizimi nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë. Pra, nga viti 2012 deri më datë 1 gusht 2017 kur hynë në fuqi ndryshimet e K.Pr.Penale me Ligjin Nr. 35/2017, prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë që të rimerte të pandehur shtetasin Fatmir Mediu pa kërkuar autorizim për ndjekje penale apo të kërkonte rishikim të vendimit. Në kushtet kur prokuroria nuk e ka ushtruar ndekjen penale për një periudhë mbi dhjetë vjet edhe pse nuk ka pasur një pengesë të tillë, Gjykata çmon se ajo nuk mund të ushtrohet më tashmë bazuar në nenin 66 gërma “b” të Kodit Penal dhe në nenin 328 pika 1 gërma “d” të K.Pr.Penale””.