VIDEO/ Dinamika e ngjarjes së rëndë, plagosi vëllain, ja ku u fsheh autori

Eshtë arrestuar autori i plagosjes së 65-vjeçarit në Lushnjë. Burime nga policia bëjnë me dije se u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të plagosjes së shtetasit Faik Veliu.

Autori është shtetasi Sami Veliu, vëllai i 65-vjeçarit.

Po kështu policia ka sekuestruar dhe armën e krimit.

Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00, në fshatin Ngurrëz e Vogël, ku në territorin e jashtëm të banesës së tij është plagosur me armë zjarri shtetasi Faik Veliu, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Njoftimi:

Lushnjë

Policia zbardh ngjarjen e ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Ngurrëz e Vogël, Lushnjë.

Kapet në kohë rekord autori i plagosjes së 65-vjeçarit.

Sekuestrohet municion luftarak dhe arma e zjarrit automatik me të cilën autori kreu krimin.

Pas marrjes së njoftimit se në spitalin e Lushnjës ka shkuar i plagosur me armë zjarri shtetasi F. V., 65 vjeç, menjëherë është ngritur grupi hetimor dhe falë veprimeve të shpejta hetimore e profesionale dhe reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe kapja e autorit, i cili është vëllai i 65-vjeçarit.

Kronologjia:

Shtetasi F. V., rreth orës 05:00, ka dalë jashtë banesës për t'u kujdesur për bagëtit e tij dhe është goditur me armë zjarri automatik nga largësia nga një person të cilin ai nuk arriti ta shikonte.

Autori u largua nga vendgjarja dhe u fsheh në një banesë të braktisur në fshatin Ngurrëz e Vogël. Pas krehjes së zonës dhe veprimeve hetimore operacionale, Policia bëri të mundur kapjen e autorit bashkë me armën e zjarrit, një kallëp tritoli bashkë me ndezësin dhe fishekë luftarak.

Nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se shtetasi Sami Veliu ka qëlluar me armë zjarri kundrejtë vëllait të tij për motive pronësie.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në përfundim të veprimeve hetimore arrestuan për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese" e mbetur në tentativë dhe "Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak" shtetasin Sami Veliu.

Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.