VIDEO/ Tri plumba mbi vëllanë: SYRI TV në Ngurrëz të Vogël të Lushnjës

Gazetari i SYRI TV, Xhemil Beharaj, ka udhëtuar këtë mëngjes për të Ngurrëz të Vogël në Lushnjë, në fshatin ku ndodhi një vëlla-plagosje, krimi i radhës brenda familjes në orën 5 të mëngjesit.

Ndërkohë që i plagosuri  Faik Veliu, 65 vjeç, është dërguar në gjendje të rëndë në Spitalin e Traumës në Tiranës, pas tri plumbave në trup që ia derdhi i vëllai, ky i fundit po ashtu është dërguar në rajonin e Policisë pas arrestimit.

Faik Veliu qe ngritur herët t'i shërbente bagëtive, por sapo ka dalë nga dera e kasolles, vëllai i tij Sami i njohur edhe me emrin Flamur, e ka qëlluar me kallashnikov.

Faiku ka marrë tri plumba njërin pas tjetrit, një në gjoks e dy në bark. I plagosur është dërguar nga familja në spitalin e Lushnjës ku iu dha ndihma e parë, pasi e kanë nisur me urgjencë drejt Spitalit të Traumës për shkak të gjendjes së rënduar.

Policia ka arritur ta kapë autor in pasi e ndoqi nëpër rrethina. Pyetja e këtij të fundit do të sjellë detaje mbi ngjarjen dhe shkaqet që e çuan të qëllojë mbi të vëllanë.

Banorët e fshatit thanë se nuk dinin të kishte pasur konflikte midis vëllezërve dhe se ata vetëm i kanë dhënë ndihmën e parë të plagosurit./ar.sh/SYRI.NET