Interi nuk di të ndalet, statistika të frikshme

Zikaltrit u treguan që në fillim suprem në sulm duke arritur të shënojnë plot 18 herë në 5 javë.

Me gola dhe spektakël, formacioni i Inzagit po bën më mirë edhe se ai i vitit të kaluar, kohë kur shpalleshin kampionë. 13 pikë kundrejt 10 të tillave të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar, ndërkohë që përmirësimi është ndjerë edhe në mbrojtje: 5 gola të pësuar ndaj 8 të sezonit 2020-2021, por ajo që bën më shumë përshtypje është padyshim sulmi, që pas largimit të Lukakut u duk se mbeti jetim.

 Mungesa e Lukakut nuk po ndihet, por Interi po bën më mirë se kurrë. Krijon më shumë, ka zhdërvjelltësi në lojë dhe është më i paparashikueshëm.

Futbollistët argëtohen dhe po tregojnë se grupi vjen para gjithçkaje. Jo më kot golat vijnë nga çdo repart.

Ai që ka pasur më shumë ndikim deri tani është pikërisht 35- vjeçari, Edin Xheko. Me katër golat e tij është ai udhëheqësi i këtij Interi duke vënë në dispozicion të ekipit eksperiencën e tij të pafundme.