Skandali i trafikantit-doganier/ Denoncimi i Berishës dhe fotoja e Ramës

Në qershor të vitit 2015, ish-kryeministri Sali Berisha do të bënte një denoncim të fortë në Facebook.

Ai do publikonte një foto të kryeministrit Edi Rama, me atë që Berisha e quan mikpritësin e tij, Endri Peza, i arrestuar për trafik droge në sasi të mëdha në Itali.

Por në kuadër të këtij operacioni, bashkë me Endri Pezën u arrestua edhe Julian Mandija. Banda e tyre akuzohej se trafikonte sasi të mëdha heroine.

Për ironi, ditën e sotme u raportua se policia shqiptare ka arrestuar një person të shpallur në kërkim për trafik droge. Ai është pikërisht Julian Mandija, bashkëtrafikanti i Endri Pezës.

Historia nuk ndalet këtu. Mandija kishte vazhduar për vite të tëra punën i qetë në portin e Durrësit si doganier.

Jo vetëm kaq, por ai atje punonte pikërisht në sektorin e kontrollit të kontenierëve. Të punosh i qetë pikërisht në pikën prej nga hyn droga në vend, ky është një skandal që ndodh vetëm në një narko-shtet.

42-vjeçari është arrestuar në vendin e punës dhe pritet të ekstradohet drejt Italisë ku do të vuajë dënimin prej 7 vite dhe 4 muaj burg.

Se si ka punuar kaq i qetë mandija prej shumë vitesh në portin e kthyer në han të drogës, kjo merret me mend.