'Pecorelli e kaloi verën në Vlorë si shkrimtar italian me emrin Cristiano'

Kushdo që ka kaluar pushimet gjatë javës së parë të gushtit në zonën e Radhimës pranë bregdetit të Vlorës nuk mund të linte pa pikasur një shtetas italian, i cili diskutonte vazhdimisht me zë të lartë pranë bregut të detit me vlonjatë që dinin italisht.

Temat ishin nga më të ndryshmet, veçanërisht ato për emigrantët. Krejtësisht i çlirët mes pushuesve të shumtë, ai të linte përshtypjen e një italiani “normal” që kishte zgjedhur brigjet këtej Adriatikut për të kaluar pushimet, ndërsa bashkëbiseduesve u kishte thënë se quhej Cristiano, shkruan Panorama. Askush nuk e mendonte në fakt se bëhet fjalë për Davide Pecorelli-n, i dyshuar si i vdekur në Pukë, rreth 8 muaj më parë. Përpos deklaratave kontradiktore që ka dhënë para hetuesve italianë, Pecorelli në fakt ka jetuar për disa muaj në Shqipëri edhe pse ai dyshohej si i vrarë në Pukë.

Italiani ka kaluar muajt e verës në qytetin e Vlorës, duke bërë plazh në zona të tilla si në Radhimë dhe në zona të tjera të bregdetit. Pasi në mediat italiane doli që ai ishte gjallë, rezulton se gjatë qëndrimit në Vlorë, Pecorelli ka banuar me qira në lagjen “Pavarësia” të qytetit. Ai kishte bërë ndryshime të pakta në pamje, duke lyer flokët dhe në këtë mënyrë askush nuk e ka njohur atë, pavarësisht se fotoja e tij ishte përhapur gjerësisht në mediat shqiptare në periudhën kur u “zhduk” papritur në zonën e qetë të Pukës. Në Vlorë ai u kishte deklaruar personave që kishte njohur se ishte shkrimtar dhe se quhej Cristiano.

I qeshur dhe i gatshëm për të biseduar me çdokënd, biznesmeni kishte krijuar gjatë muajve të qëndrimit në Vlorë miqësi të shumta, përfshirë edhe një ish-futbollist. Binte në sy fakti që ai ishte i “vetëm” në bregun e detit dhe bisedonte me çdokënd që i krijonte mundësi. Mësohet se biznesmeni ka qëndruar në Vlorë deri në fund të gushtit, duke u larguar më pas drejt Italisë. Ai u kishte thënë “miqve të rinj” se do të rregullonte disa dokumente dhe do të kthehej. Tani, pasi u zbulua në shtetin italian, Pecorelli rezulton se ka gënjyer çdokënd që ka takuar, por jo për shumë kohë.