Llalla u largua më 9 shtator, ja çfarë deklaroi e shoqja për policinë

Ish-kryeprokurori Adriatik Llalla nuk ndodhet në Shqipëri. Tashmë dyshimet janë zyrtare. Klan News raporton se sipas sistemit TIMS, Llalla është larguar nga Shqipëria më 9 shtator. Ai është larguar nga Aeroporti i Rinasit drejt Romës. Ka raportime se ai ndodhet për mjekim në Gjermani.

Këtë të mërkurë, ish-kryeprokurori u dënua me 2 vjet burg nga Gjykata e Posaçme e Apelit, që la në fuqi dënimin e dhënë nga Shkalla e Parë. Pak orë me vonë, SPAK nxori urdhrin për ekzekutimin e dënimit nga Polici e Shtetit, e cila gjatë mbrëmjes shkoi për kontroll në shtëpinë e tij që ndodhet në kryeqytet.

Mësohet se bashkëshortja e tij u tha oficerëve të policisë se nuk kishte dijeni ku ndodhej ish-kryeprokurori.

Tanimë pritet që autoritetet shqiptare të nxjerrin një urdhër-arrest ndërkombëtar për Llallën.

Ish-kryeprokurori mungoi gjatë dhënies së vendimit, pasi po gjykohej në gjendje të lirë. Avokati i tij Sokol Hazizaj tha se Llalla mungonte për arsye shëndetësore. Dënimin, avokati e cilësoi të padrejtë dhe paralajmëroi se do ta çojë atë deri në Gjykatën e Lartë.

Llalla u shpall fajtor për veprën penale të fshehje të pasurisë për të paktën 3 episode. 

Hetimi ndaj tij u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 Mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave./tvklan.al