Ndryshimet kushtetuese/ Gjiknuri i dërgon sinjal Bashës: Gati të ulemi

Sekretari i ri i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri ka deklaruar nga qyteti i Shkodrës se socialistët janë të gatshëm që të ulen me Partinë Demokratike dhe të bisedojnë edhe për ndryshimet kushtetuese.

Sipas Gjiknurit, propozimet duhet të bëhen në tryezë dhe jo në media. 

“Jemi të gatshëm të ulemi me PD të bisedojmë për gjitha çështjet. Si dhe ato që propozon PD për ndryshimet kushtetuese. Por propozimet bëhen në tryezë dhe në institucione. Tashmë që PD është brenda institucioneve mund të bisedojmë dhe jemi të hapur. Por nuk bëhet në studio televizive dhe me konferenca për media”, tha Gjiknuri.

Kujtojmë se Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh në mbledhjen e Këshillit Kombëtar , se ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 nuk ishin të përshtatshme për nevojat e shoqërisë për demokraci.