‘Lufta kundër krimit’/ Gjermania dhuron 14 automjete dhe 3 sete Smartdec për policinë

Ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri Peter Zingraf i dorëzon donacionin Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, gjatë ceremonisë së zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Ambasadori Zingraf është shprehur “Lufta kundër krimit të organizuar është një ndër pikat më të forta të bashkëpunimit mes vendeve tona. Dhurimi i këtyre pajisjeve për Policinë Kufitare të shtetit shqiptar, gjithashtu dhe për Policinë Kriminale është një shenjë e fortë bashkëpunimi për të luftuar mbi të gjitha migracionin e paligjshëm, por dhe trafikimin e lëndëve narkotike. Këto automjete që po dhurohen do të ndihmojnë më tej për të përballuar sfidat që ka Policia Kufitare dhe gjithashtu për të përforcuar akoma më tej flotën e automjeteve të Policisë së Shtetit. 

Veliu ka theksuar: “Mbështetja e vazhdueshme e Policisë Federale gjermane, për Policinë e Shtetit ka rritur efikasitetin dhe rezultatet e punës së Policisë Kriminale dhe asaj Kufitare. Donacioni do shërbejë në rritjen e performancës në drejtim të kontrollit të kufijve, parandalimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare”.

'Është e disata herë që zhvillojmë ceremoni për donacione, ndaj me lejoni t’ju shpreh mirënjohjen time për mbështetjen që qeveria gjermane, nëpërmjet ambasadës në Tiranë, Policisë Federale dhe agjencive ligjzbatuese gjermane, i ka dhënë dhe po i japin Policisë së Shtetit.

Donacionet e dhëna më parë dhe ky i sotmi janë shumë të rëndësishëm për ne, janë vlerë e shtuar në punën tonë, pasi shërbejnë në rritjen e efikasitetit të punës dhe rezultateve të Policisë Kriminale dhe asaj Kufitare.

14 automjete dhe tre sete Smartdec, me vlerë totale 305 mijë euro janë një ndihmë e konsiderueshme për punonjësit e Policisë Kufitare, pasi shërbejnë në rritjen e performancës në drejtim të kontrollit të kufijve, parandalimit dhe goditjes së krimeve ndërkufitare.

Rinovimi i flotës së Policisë së Shtetit, me automjete të reja dhe cilësore, siguron një lëvizshmëri të shpejtë, efikase dhe njëherazi përmirëson kushtet e punës dhe të shërbimit të punonjësve të Policisë së Shtetit.

Bashkëpunimi me agjencitë ligjzbatuese gjermane është shtrirë në fusha të ndryshme si trajnime, asistencë teknike, mjete transporti, pajisje e materiale të ndryshme për Policinë Kriminale dhe forcat speciale etj.

Me këtë rast vlen të rendis disa fakte:

Për periudhën 2017-2021 janë bërë donacione të ndryshme që e kalojnë vlerën e 350 milionë lekëve të reja, të destinuara në:

-Dhurimin e 102 automjeteve, nga të cilat 21 mjete për strukturat e Drejtorisë Qendrore Hetimore dhe 81 automjete për strukturat e Policisë Kufitare;

-Kompletimin e strukturave të Drejtorisë Hetimore Qendrore dhe strukturave të Policisë Kufitare, me pajisje për kryerjen e operacioneve speciale dhe kontrollin e kufirit;

-Pajisje për Njësinë e Antieksplozivit,

-Njësinë e Snajperëve

 -Njësinë e Vëzhgimit

dhe për Repartin Special “RENEA”;

-Dhurimin e një mini-laboratori modern, Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas, për ekzaminimin e dokumenteve të udhëtimit.

-Trajnime të ndryshme me tematikë taktike dhe operacionale si: zgjidhje situatash pengmarrje, ndjekjen/survejimin e alternuar dhe arrestimin në zona rurale dhe interurbane të personave në kërkim etj.

-Policia Federale gjermane është një ndër kontribuuesit më të mëdhenj në Operacionin Western Balkanas 2019-2020, të FRONTEX në vendin tonë', tha Veliu gjate fjales se tij.