Basha u trembet gazetarëve dhe bazës, e quan ‘forcë’ daljen në oborr

Në një dalje mediatike të programuar deri në detaje, Luzim Basha nuk denjoi t’u jepte përgjigje gazetarëve, të cilët ishin të shumtë në numër në derën e selisë së PD.

Ngutja për të thënë vetëm deklaratën e shkurtër, tregon se kreu demokrat ka filluar të kuptojë se lëvizja e Berishës nuk ndalet. I shoqëruar nga pas prej të zakonshmit Gazment Bardhi, ai u largua me shpejtësi nga sytë e medias.

Nuk kishte ndodhur ndonjëherë që në vendin më të korruptuar në botë, ai që u trembet mediave të jetë kreu i partisë më të madhe në opozitë.

Por çudia që pasoi ishte edhe më e madhe. Basha u ul në kafen e oborrit të PD-së. Lajmi u trumbetua me të madhe nga mediat e majta, të cilët arritën deri aty sa thanë se Basha po tregonte ‘forcë’ pas takimeve entuziaste të Berishës.

Dmth forca e Bashës, që është strukur në zyrën e tij prej ditësh, qëndron te fakti se mund të dalë në oborrin e selisë. Madje edhe aty duke qëndruar si me hije, nga frika se mos kishte ndonjë reagim nga simpatizantët.

Nëse Basha e quan këtë dalje në oborrin e PD-së, si daljen në terren pranë bazës, atëherë ky është më shumë se humor i zi. Ai tregon një degradim pa kthim.