VIDEO/ Miliardat për Zoton nuk mjaftojnë, Veliaj jep 2 miliardë lekë për kontenierët e plehrave

Nuk ndalen milionat nga Bashkia e Tiranës për mafien e plehrave. Në një kohë që taksapaguesve të kryeqytetit menaxhimi i mbetjeve i kushton 10 milionë euro në vit, Erion Veliaj nuk është kursyer të shpenzojë edhe 2 miliardë lekë të tjera për krijimin e kontenierëve nëntokësorë. Nuk dihet se si ka lindur nevoja për këto kontenierë kur vetëm pak kohë më parë Bashkia e Tiranës zhvilloi tenderin prej 30 milionë eurosh për pastrimin e Tiranës. 

Nga SYRI TV

Bashkia e Tiranës ka vendosur të shpenzojë rreth 2 miliardë lekë të vjetra për kontenierë dhe sistem të mbledhjes së mbeturinave me teknologji të re, duket rritur ndjeshëm kostot për banorët e kryeqytetit, të cilët paguajnë rreth njëzet milionë euro të tjera në vit për menaxhimin e mbetjeve.

Aktualisht, kryeqytetasit paguajnë mbi 10 milionë euro në vit për depozitimin e mbetjeve në landfillin privat të kompanisë “Integrated Energy BV”, me administrator të parë Klodian Zoton.

Po ashtu, nga taksat e qytetarëve të Tiranës paguhen rreth 10 milionë euro në vit për pastrimin, pas një tenderi gjigand mbi 30 milionë euro, të zhvilluar nga administrata e Erion Veliaj në janar të këtij viti, për shërbim 3-vjeçar.

Por, duket se këto shpenzime nuk janë të mjaftueshme për shijet e kryebashkiakut Veliaj. 

Ai ka vendosur të përdorë miliarda të tjera nga paratë e qytetarëve, të cilët po ngarkohen me rritje taksash nga viti në vit. Së fundmi, “Eco Tirana”, një shoqëri ku bashkia e Tiranës zotëron 51 përqind të kapitalit, ka shpallur të paktën dy tendera, me vlerë rreth 1 miliardë lekë secili, së bashku me TVSH.

Tenderi i parë ka për objekt “Sistemin e mbledhjes së mbeturinave me teknologji të re”, me fond limit 91 milionë lekë të reja pa TVSH.

Sipas këtij tenderi, “Eco Tirana” synon të krijojë 12 kontejnerë nëntokësor për grumbullim të veçuar të ambalazheve, si edhe të blejë 190 kontenierë të tjerë me kapak.

Ofertat ekonomike pritet të dorëzohen deri në 27 Tetor 2021.

Në një procedurë tjetër, “Eco Tirana” synon të blejë 1700 kontenitorë të rinj, me një vlerë limit prej 91 milionë lekë të reja pa TVSH. Ofertat ekonomike pritet të dorëzohen deri në datën 30 shtator. 

Në dokumentat e tenderit jepen të detajuara specifikimet teknike për kontenierët e mbeturinave. 

Megjithatë, në asnjë vend nuk sqarohet se përse është e nevojshme kjo sasi e madhe, aq më tepër kur “Eco Tirana” ka zhvilluar në mënyrë periodike tendera multi-milionësh për të blerë kazanë për mbledhjen e plehrave në kryeqytet.

Shoqëria “Eco Tirana” është krijuar në vitin 2016, pas nënshkrimit të kontratës ndërmjet Erion Veliaj për Bashkinë e Tiranës dhe Flavio Tosi, në atë kohë kryebashkiak i Veronas.

Krijimi i “Eco Tirana” u shoqërua me dyshime publike për vlerat ekonomike. Po ashtu, pati zëra, të cilët hodhën dyshime për një bashkëpunim me sfond mafioz.
Këto dyshime u forcuan më tepër, pasi Anti-mafia italiane përfshiu në hetimet e saj ish-kryetarin e bashkisë së Veronas, Flavio Tosi.

Po ashtu, në hetim ishin edhe ish-drejtuesit e kompanisë italiane “Aima”. 

Kompania “Amia” është një nga dy ortakët e shoqërisë publike “AGSM holding”, e cila nga ana e saj zotëron 49 përqind të kompanisë të përpunimit të mbetjeve, “Eco Tirana”.