PSG-ja po i luan pas krahëve Realit, plane për shitjen e Mbape në ‘Premier League’

Reali vazhdon të ngulmojë çdo ditë me manovrat e veta për të joshur sulmuesin e kombëtares franceze që ta lërë Francën dhe verën e ardhshme t’i bashkohet “los blancos”.

Kontrata e Kilian Mbapesë me PSG-në skadon verën e ardhshme dhe deri më tani Mbape ka qenë i prerë me klubin e tij duke mos pranuar ta rinovojë kontratën. Edhe Mbape e ndien se shumë “gjela në një kotec” vështirë se mund të qëndrojnë.

Pa harruar faktin se ai e ndien veten të mënjanuar në ekip pas ardhjes së Lionel Mesit. Lajmet më të fundit nënvizojnë se në Madrid ndiejnë frikën se Mbape mund të shkojë diku tjetër e jo në “Bernabeu”.

Mediat spanjolle të specializuara në merkaton e lojtarëve nënvizojnë se në Madrid kanë nisur të nuhasin se PSG-ja mund ta ketë shitur xhevahirin e saj në një klub të Premier Ligës, por pa dhënë një emër konkret.

Kujtojmë se interes për të në Premier kanë shfaqur Junajtidi, Siti e Liverpuli. Gjithsesi, në Madrid janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për të mos lejuar një gjë të tillë.