Publikoi videon, kërcënohet gazetari investigativ Artan Hoxha!

Gazetari i njohur investigativ Artan Hoxha është kërcënuar dhe për këtë, ai ka ka bërë edhe denoncimin në polici.

Lajmin ai e ka dhënë vetë gazetari në një emision sportiv, duke treguar edhe rrethanat e ngjarjes. Hoxha rrëfen se është kërcënuar nëpërmjet telefonit dhe më pas verbalisht nga persona të ndryshëm dhe vetë  drejtuesit e klubit sportive të Laçit, pasi ai kishte hedhur një video nga ndeshja e fundit e këtij ekipi.

Sipas Hoxhës kulmi arriti gjatë ndeshjes, Tirana-Egnatia, të cilën ai po e ndiqte nga tribuna me kolegë gazetarë sportivë. Ka qenë vetë djali i presidentit të Laçit dhe persona të tjerë, që e kanë kërcënuar sërish. Gazetari ka treguar gjithashtu se ka bërë denoncim në polici, por nuk ka besim se do të ndodhë gjë për përgjegjësit, pasi i kanë krahët të fortë.

“Publikova videon sepse ishte një ngjarje që dukej e rëndë për javën e dytë të kampionatit se si mundoheshin të ndikonin të pa shqetësuar edhe në vendimin e VAR-it. Ajo që ndodhi është se menjëherë filluan telefonatat dhe kërcënimet: “Kush je ti? Çfarë ke me Laçin?”.

Këto janë njerëz që i kanë krahët e ngrohta nga FSHF dhe nuk u ndodh asgjë ndaj janë mësuar të bëjnë gjëra të tilla. Por jo vetëm kaq. Isha në stadium dje për të ndjekur ndeshjen Tirana-Egnatia dhe isha mes kolegësh në tribunën e mediave.

Në pushimin e ndeshjes vijnë tre persona dhe më kërcënuan ndërsa bëja detyrën time. Një situatë absurde aq sa kolegët u kthyen nga ana tjetër. Po kush ishin këta? Ishte drejtori i klubit, ishte djali i presidenti, Kleo Laska, si dhe një person tjetër që shoqërohet me këta. Janë persona të cilët e them i kanë krahët e ngrohta e nuk i ndal kush.
 Nuk kam asgjë me Laçin, kanë ekip të shkëlqyer, por janë perosna të tillë. I kam bërë denoncim në polici. Por kur shkon puna pastaj atje ose do të kërkohen pamjet filmike të kamerave të sigurisë që nuk t’i jep kush, ose të kërkohen dëshmitarë. Po kush të dalë dëshmitar aty, Ylli Aga që ishte ngjitur? Kolegët u kthyen nga ana tjetër në ato momente.E kam pyetur shpesh veten se pse Gëzim Sinemati nuk shkon në stadium dhe në situatë si kjo e kuptova. Nuk shkon sepse atje të bëjnë agresion për atë që thua”, tregoi Hoxha.