Manjani: Nuk të sjell Amerika në pushtet, harrojeni këtë idiotësi

Nga Ylli Manjani

Çdo qeveri në shpinë të kësaj toke, amerikane, gjermane, franceze, kineze apo ruse qoftë, njeh dhe respekton të zgjedhurit e një vendi tjetër.

Pa marrë parasysh sa të mirë apo të ligj janë ata për vendin e tyre, ata respektohen. Ky është kodi bazik i marrëdhënieve ndërshtetërore.

Këtë kod ka edhe Amerika. Sa të jesh në kalë, të njeh si kalorës. Por re nga kali, as do të dijë në ekziston apo jo. As nuk i kërcet fare nëse je apo jo i korruptuar, i mirë apo i keq për vendin tënd.

Ky kod shpjegon çdo deklaratë mbështetëse që ata bëjnë për të zgjedhurit në Shqipëri e kudo në botë, pavarësisht sa diktatorë janë në vendet e tyre. 

Ndaj nuk e kam kuptuar e as e kuptoj pritshmërinë idiote kolektive që e kemi ne shqiptarët që Amerikanët të heqin e të venë në pushtet sipas qejfit!

Them idiote sepse udhëheqësit tanë i zgjedhim vetë jo amerikanët, as rusët, as gjermanët, as kinezët e askush tjetër. Vetëm ne këtu në Shqipëri!

Nongratllëqet, janë mesazhe politiko-diplomatike pakënaqësie jo vendime të detyrueshme për shtetin tjetër. Janë edhe produkt lobimesh (dihet që mund të blesh deklarata e qëndrime sa të duash në SHBA, mjafton të gjesh lobistin e duhur). Nuk janë as deklarata armiqësie, sepse armiqve të tyre u hedhin bomba jo llafe…

Ndaj sa më shpejt ta mbledhim mendjen se pronar të demokracisë jemi vetë ne, aq më e mirë do bëhet demokracia. Në të kundërt do vendosin gjithmonë spekulantët e mashtruesit që hiqen si “amerikanë”, ndërkohë që ne hedhim votën si ujët në havan…