Përshkallëzohet sherri në Bashkinë e Vlorës/ Leskaj: Nuk e liroj zyrën

Kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli dhe Drejtori i Ujësjellësit në këtë qytet, Shkëlqim Leskaj përfunduan dje në polici.

Debati nisi për lirimin e zyrës së Leskajt, që në 6 gusht firmosi dorëheqjen nga detyra, por më pas u pendua, por kryetari i bashkisë së Vlorës nuk e pranoi duke i qëndruar vendimit të parë.

Sipas burimeve për SYRI TV dhe Syri.net, mes palëve ka patur edhe fërkime fizike gjatë debatit në mbledhjen e zhvilluar në Bashkinë e Vlorës.

Sot, në një reagim për mediat, Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime bën me dije se Shkëlqim Leskaj është në krye të detyrës.

Në deklaratë thuhet se: “Nuk ka patur asnjë “grabitje” nga titullari sa i përket vulave dhe librave të protokolleve sikundër pretendohet, ato qëndrojnë sipas legjislacionit në selinë e shoqërisë“.

Në datë 15 shtator, drejtorit Leskaj iu kërkua që të lironte zyrën, por e ka refuzuar kërkesën, madje duke e kyçur derën.

Kjo ka bërë që konflikti mes palëve të përfundojë në drejtorinë e policisë së Vlorë, që ditën e djeshme ka thirrur Lelin dhe Leskajn për t’u marrë dëshminë mbi ngjarjen. Por as policia nuk e ka zgjidhur dhe konflikti vazhdon.