Dozë e tretë/ Dollenberg: Me 20% të popullatës të vaksinuar, as nuk mund të diskutohet…

Doza e tretë e vaksinës për moshat mbi 60 vjeç dhe personat me sëmundje kronike është një mision i pamundur për këtë vit, përkundër rekomandimit nga studimi i Akademisë së Shkencave mbi imunizimin e popullatës i bërë publik një ditë më parë.

Kryetarja e Federatës së Mjekëve Shqiptarë në Europë, Dr.med. Aurora Dollenberg, thotë se ky diskutim është i vlefshëm vetëm për vendet që kanë vaksinuar 80% të popullatës me dy dozat e vaksinës dhe jo për Shqipërinë që është ende në nivelin e 20%, shkruan Ora.

"Vlen vetëm për vende që kanë arritur 80% të vaksinimit të popullatës me dy dozat e para. Shqipëria ka të vaksinuar vetëm 20% të popullatës. Jemi shumë larg minimumit për dy dozat e para dhe doza e tretë nuk diskutohet të paktën për këtë vit. Mbase për vitin tjetër nëse do të shprehet më shumë vullnetarizëm te qytetarët dhe më shumë besim te mjekësia dhe shkenca atëherë mund të flasim për një dozë të tretë dhe të katërt vitin tjetër".