EMRI/ Nuk iu bind dy patrullave, 31-vjeçari përplas efektivin e policisë

Një 31-vjeçar është vënë në prangat e policisë, pasi nuk u ka ndaluar dy patrullave të policisë, dhe ka përplasur një efektiv, i cili është dërguar me urgjencë në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Bledi Larti nuk ndaloi në dy postoblloqe në aksin rrugor Prrenjas-Pogradec, ndërkohë që pas kësaj ai është vënë në prangat e bluve.

Ai akuzohet për “vrasja në rrethana të tjera cilësuese ” e mbetur në tentativë dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Njoftimi i policisë:

Nuk iu bind urdhrit të punonjësit të Policisë për të ndaluar dhe në tentativë e sipër për t’u larguar aksidentoi punonjësin e Policisë, vihet në pranga 31-vjeçari.

Rreth orës 21:45, Salla Operative e Policisë Librazhd është njoftuar nga Salla e Komisariatit të Policisë Pogradec,  se mjeti tip “Audi”, me drejtues shtetasin Bledi Larti, nuk i ishte bindur urdhrit të shërbimeve të Policisë Pogradec për të ndaluar, por kishte vijuar lëvizjen me shpejtësi në drejtim të Librazhdit.

Me marrjen e njoftimit janë organizuar shërbimet e Policisë, të cilat kanë ngritur pikë kontrolli në aksin rrugor Prrenjas-Pogradec. Drejtuesi i mjetit tip “Audi”, kur ka konstatuar  shërbimet e Policisë, përsëri nuk i është bindur urdhërit të punonjësit të Policisë për të ndaluar, por ka vijuar lëvizjen me shpejtësi duke aksidentuar punonjësin e Policisë së Patrullës së Përgjithshme, shtetasin S. H., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në ndjekje të automjetit janë vënë  shërbimet e tjera të Policisë dhe në qytetin e Librazhdit është bërë i mundur ndalimi i tij.

Në përfundim të veprimeve hetimore, nga oficeri i Policisë Gjyqësore pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan u arrestua në flagrancë për veprat penale  “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese ” e mbetur në tentativë dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasi Bledi Larti, 31 vjeç, banues në Tiranë dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.