Noka: Basha synon sabotimin e takimit në Fier, por Foltorja nuk ndalet

Deputeti demokrat, Flamur Noka deklaroi në Çim Peka LIVE se kryetari i PD, Lulzim Basha, po përpiqet që të sabotojë takimin e së martës të Foltores së Sali Berishës në Fier.

“Basha ka thirrur drejtuesit e PD-së në Fier që të jenë nesër në Tiranë. Por asgjë nuk e ndal rrugëtimin e Foltores. Po vazhdon presioni ndaj strukturave të PD për të ndaluar rrugëtimin e Fierit.

Edhe kryetari i Fierit, edhe të tjerët ia kanë bërë të qartë se do e presin Sali Berishën sepse është historia, lavdia dhe suksesi i kësaj partie. Ai është i vetmi që i ka dhënë sukses kësaj partie.

Unë do të jem pa diskutim në Fier. Unë jam për një parti më të bashkuar dhe më të fortë.

Takimi i nesërm do të jetë një nga takimet më të shkëlqyera që ka zhvilluar ndonjëherë PD në Fier.

Demokratët atje kanë besim dhe shpresë te kjo lëvizje, pasi te lideri aktual ka humbur besimi dhe shpresa,” tha Noka.

Ai mohoi sërish zërat se ka pasur përplasje me zotin Basha dhe me deputetin tjetër, Ervin Salianji. Në fund, ai theksoi se vendimi për përjashtimin e Sali Berishës është në funksion të shkrirjes së PD-së.