VIDEO- SYRI TV: Si po e shkel Lulzim Basha statutin e PD-së

Lulzim Basha po sfidon statutin e Partisë Demokratike duke deklaruar se nuk do të lejojë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, forumit më të lartë të demokratëve. Mbledhja e sotme e kryesisë së grupit parlamentar është shoqëruar me debate të forta mes Bashës dhe deputeteve. Ndërkohë nesër në orën 18:00, lideri historik i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të zhvillojë Foltoren me demokratët e Fierit

Kreu aktual i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka sfiduar hapur statutin e partisë së tij duke thënë se do të pengojë mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Mbledhja e kryesisë së grupit parlamentar demokrat është shoqëruar me debate të forta për shkak të refuzimit të Lulzim Bashës për të respektuar pikën e statutit që parashikon mbledhjen e forumit më të lartë demokrat. Deputeti Flamur Noka deklaroi se PD mbetet e bashkuar vetëm nëse vendos anëtarësia, ndërsa për Lulzim Bashën vendimi për përjashtimin e Berishës nuk ka kthim pas.

“Kërkesa për Doktorin nuk ka ardhur nga zyrtarë të nivelit të tretë apo të rangut të ulët. Ka ardhur nga kupola e shtetit amerikan. Informacionet i di unë, siç i di shumë mirë edhe Doktori dhe që ju s’keni për t’i marrë vesh kurrë! Vendimi nuk ka me kthim pas. Nuk mblidhet asnjë kryesi apo Kuvend se s’mund të këtë Kuvend anti-amerikan!”

Vendimin individual të Lulzim Bashës, e ka kundërshtuar sërish deputeti Flamur Noka, i cili ka theksuar se për çështjen e Berishës duhet të shpreheshin forumet e partisë.

“Vendimi ndaj Berishës ishte një thikë pas shpine për PD. Ai u duhej lënë forumeve të PD-se ta merrnin. Vetëm vendimi i anëtarësisë e mban PD të bashkuar. Ke shkelur statutin, vendimin duhet ta marrë Kuvendi Kombëtar. Pa i dhënë drejtim çështjes së Berishës nuk mund të diskutohet asgjë për aksionin opozitar”.

Por në nenin 43 të Statutit të Partisë Demokratike theksohet se Kuvendi Kombëtar mund të mblidhet edhe kur e kërkojnë 1/4 e anëtarëve të PDSH-së ose 1/4 e anëtarëve të Kuvendit Kombëtar, ndërsa data e zhvillimit të Kuvendit dhe rendi i ditës njoftohen të paktën një muaj përpara ditës së parë të Kuvendit.

Ndërkohë ish-kryeministri Sali Berisha vijon i bindur aksionin e tij për një Parti Demokratike më të bashkuar, më të fortë, më të hapur. Ditën e martë në orën 18:00, ish-kryeministri Berisha ka njoftuar takimin e radhës me demokratët e Fierit.