VIDEO nga SYRI TV/ Testi i parë i bashkëpunimit PD- PS, ‘Kushtetuta’ dhe ‘vetingu’

Zgjatja e mandatit për disa organe të vettingut, përmes ndryshimeve kushtetuese, do jete testi i parë, për bashkëpunimin mes opozitës dhe mazhorancës, në kuvend. Ndërsa Partia Socialiste nisi sot punën për ndryshimet kushtetuese, miratimi i tyre, kërkon 93 vota, e per kete mazhorancës do ti duhen vota të opozitës.

Nga SYRI TV

Ndryshimet Kushtetuese për të zgjatur mandatin e organeve të Vettingut, të gjyqtarëve e prokurorëve,do të jenë testi I parë, nëse opozita dhe mazhoranca do bashkëpunojnë, duke bashkuar votat në Kuvend. Ndërhyrja përmes dispozitave kushtetuese, që kërkohet, për të zgjatur mandatin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe komisioneri publik, kërkon 94 vota në Kuvend, ndërkohe që mazhoranca e Edi Ramës, ka vetëm 77 vota. Në këto kushte, socialistët do të duhen, të kërkojnë vota, nga ana tjetër e sallës, ku gjenden deputetet e Partisë Demokratike.

Ky detyrim, ka vënë në lëvizje Partinë politike, të cilat janë duke menduar pozicionet e tyre. Partia Socialiste ka nisur punë për ndryshimet kushtetuese, për zgjatjen e mandatit të disa organeve të Vettingut, të cilave u përfundon mandati i përcaktuar në kushtetutë.

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla,mblodhi këtë mëngjes, Kryesinë e grupit parlamentar, duke I kërkuar socialistëve të nisin menjëherë punën për ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e procesit të Vettingut.

Më herët, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi në parlament, se mazhoranca do të kërkojë konsensusin e opozitës që mandati i KPK dhe i komisionerit publik të zgjatet deri në përfundim të procesit të Vetingut, pra deri në vetimin e plotë të të gjitha subjekteve të shortuara, për t’iu nënshtruar procesit të rivlerësimit kalimtar të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Por ende nuk dihet, nëse opozita do tu japë votat pa marrë gjë në këmbim. PD ende nuk ka shfaqur qëndrimin e saj, për këtë çështje, ndërsa ditën e sotme, kjo teme u prek përciptazi, edhe në mbledhjen që Kryetari i PD, Lulzim Basha zhvilloi me kryesinë e grupit, ku u diskutua strategjia e opozitës në parlament.

Opozita ka akuzuar disa herë kryeministrin, për kapjen e reformës në drejtësi, ndërsa tani është para provës, nëse do bashkojë votat me Partinë Socialiste, për ndryshimet kushtetuese, apo do të kërkojë negociatat dhe do të vendosë kushte, për të dhënë, kartonët jeshile, që duhen, për miratimin e tyre.