Dy amerikat, dhe Shqipëria

I. Rama ‘Shah’, Basha ‘Weiqi’

Siç mund ta keni vënë re, sa herë që Rama ndjehet i fortë, preferon të shprehet se ‘në politikë ai luan shah’. Shahu si lojë është e gjitha e ndërtuar mbi fitoren totale. Qëllimi i lojës është arritja e pozicionit ‘shah mat’, pra vendosja e mbretit kundërshtar në pozicionin ku ai nuk mund të lëvizë pa u shkatërruar. Shumica e lojërave shah, përfundojnë në fitoren totale, shkatërrimin e kundërshtarit. Edi Rama e ka ‘ngrënë’ Lulzim Bashën që në muajin prill 2017.  Që atëherë, ai ka mbaruar punë më të. Bashën e ka futur në xhepin e djathtë, dhe që atëhere të dy vetëm luajnë lojë luftash.  Por Basha nuk është ‘Mbreti’.  Basha është ‘Torra’. ‘Mbreti’ është Berisha, dhe loja s’ka mbaruar akoma.

Nga ana tjetër, nëse do të adoptoja qasjen e Henry Kissinger në librin e tij ‘On China’, Basha luan ekuivalentin kinez të shahut, ‘Wei Qi’, e përkthyer si ‘loja e pjesëve përreth’. Por jo kundër Ramës, pasi tashmë ai është ‘i ngrënë në shah’, por kundër Berishës.‘Wei Qi’ nënkupton rrethimin strategjik. Nëse shahu lidhet me betejën vendimtare, ‘Wei Qi’ lidhet me fushatën afatgjatë.

Lojtari i ‘Wei qi’ kërkon avantazhin relativ. Nëse shahu na mëson konceptin Clawsevitzian të qendrës së gravitetit’, dhe ‘pikës vendimtare’, ‘Wei qi’ na mëson mbi ‘rrethimin strategjik’. Ndërkohë që lojtari i shahut kërkon të eliminojë pjesët e kundërshtarit nëpërmjet një sërë përplasjesh koke më kokë, lojtari i ‘Wei qi’ lëviz në hapësirat bosh të fushës së lojës, duke zvogëluar në mënyrë graduale potencialin strategjik të kundërshtarit. Janë pikërisht hapësirat bosh, të lëna nga Berisha të cilat Basha i ka mbushur, që nga 2017 e këtej. Duke larguar njerëzit e perceptuar si të Berishës nga strukturat qendrore, nga kryesia e partisë, nga këshilli kombëtar, nga listat për deputetë. Në natën e 9 shtatorit, e vetmja hapësirë e pa mbushur ishte, ‘rrethi i madh në qendër’.

Berisha nga ana tjetër, duket se ka adoptuar parimin e ‘Scientific American’, mbi ‘gravitetin kuantik’: te fitosh pa luajtur. Edhe ky, deri në natën e 9 shtatorit.

II. Berisha në New Hampshire

Nëse dikush mendon se Berisha është i prekur nga ‘non-grata’, e ka gabim.  Njësoj edhe për vendimin për përjashtimin nga grupi parlamentar. Vendimi i Bashës nuk është mallkim, por bekim.  Sali Berishën as nuk e bën e as nuk e zhbën grupi parlamentar. As qënia në parlament. As politika active, e, as ajo inactive. Sali Berisha është Sali Berishë.  Vendimi për largimin e tij është thjeshtë një ‘cacus belli’, një akt që provokon apo shërben për të filluar një luftë. Luftë për të larguar Bashën, jo si ‘vrasës i babait politik’, por si një humbës kronik, i cili nuk ka asnjë shans të fitojë përballë Ramës. Amerikën e përdor Rama për të mbajtur çizmen e tij në qafën e Bashës; Amerikën e përdori Basha për të hequr qafe ‘plakun’; ‘amerikën’ do të përdorë Berisha për të larguar Bashën si pengesën kryesore për të hequr qafe Ramën.

Në takimin e parë të bashkëbisedimit të tij me militantët demokratë në hotel Rogner, Berisha u shpreh tekstualisht: ‘Partia Demokratike është një parti e qendrës së djathtë, një parti konservatore, sovraniste, e cila nuk mund të bie kurrë nën tutelën e George Soros’. Dhe jo pa arsye. Nëse do të ndërronim fjalën ‘Demokratike’, në‘Republikane’, këto fjalë mund të dukeshin si fjalori i Donald Trump. Berisha duket se ka adoptuar qasjen e Benjamin Netanjahut, ish-kryeministrit konservator të Izraelit.  Duke parë armiqësinë e qendrës më të fortë të pushtetit brenda Partisë Demokratike, ai siç duket ka vendosur të merret fuqishëm me Republikanët. Jo si çështje lobistësh, por si beteje ideologjike. Lajmi i keq për Bashën, Ramën dhe Kim është se tashme ‘institucionalizimi i një marrëdhënie ideologjike afat-gjatë’ midis Berishës dhe lidershipit më të lartë Republikan tashmë ka marrë udhë.

Gjasat janë që Presidenti Trump të konkurrojë përsëri. Edhe në mos qoftë ai, Trumpizmi tashmë ka pushtuar Partinë Republikane. Për njohësit e mirë të sistemit të brendshëm amerikan dhe për ata që e njohin sesi funksionon Amerika e dijë se veçanërisht pas vitit 2016, nuk ka më një amerikë, por dy. E ndarë në mes si me thikë midis ngjyrave blu dhe të kuqe. Jo një qendër pushteti, por dy. Dy kampe në politikë, në media, në rrjetet sociale, në grupet paramilitare, në Departamentin e Shtetit, në atë të Mbrojtjes, dhe në të gjitha agjencitë shtetërore. Në ideologji. Kudo. Njëra palë është marksiste për kundërshtarin. Pala tjetër raciste dhe autoritare.

Kjo ndarje, ka reperkursionet e veta anë e mbanë globit. Edhe në Shqipërinë e vogël. Jo se jemi të rëndësishëm, por se Edi Rama është pjesë integrale e njërës palë. 

Në dy javët e fundit, senatori Tom Cotton, ish-zv presidenti Mike Pence, ish-sekretari i shtetit Mike Pompeo dhe Guvernatori i Floridës Ron DeSantis kanë shtuar vizitat e tyre në Neë Hampshire dhe Iowa si dy shtetet e para nga ku do të fillojnë ‘primaret’ për zgjedhjet presidenciale. Vizitat e tyre janë indikator i përgatitjes për të garuar në rast se Presidenti Trump vendos të mos futet në garë.  Në dijeninë time, përvec Senatorit Cotton, të gjithë të tjerët janë tashmë pjesë e asaj që quajta më lartë si ‘institucionalizimi i një marrëdhënie ideologjike afat-gjatë’ midis Berishës dhe lidershipit më të lartë republican.

Por, nuk mbaron me kaq. Vitin tjetër në ShBA zhvillohen zgjedhjet ‘midterms’ për Kongresin amerikan.  Me një diferencë prej vetëm dy senatorësh, dhe vetëm 13 kongresmenësh, si dhe me ndarjen e re të zonave zgjedhore, kombinuar edhe me performancën dizastër të administratës së Presidentit Biden në politikën e jashtmeh dhe në atë të brendshme, duket se Republikanët e kaë shtruar rrugën për rimarrjen e dy dhomave të kongresit. E bashkë të to, vjen edhe lidershipi në Komisionin për Politikën e Jashtme në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, Komisionin për Mbrojtjen në Senat dhe në Dhomë, si dhe Komisionin e Helsinkit.

Bash kjo është edhe arsyeja që Ambasadorja Kim ja la topin në derë Bashës duke e shitur atë, kur u shpreh në intervistën e saj të fundit tek Zëri i Amerikës në lidhje me presionin e saj ndaj Bashës se ‘Shqipëria është një vend i lirë, anëtar i NATO-s, dhe liderët duhet të marrin përgjegjësinë për vendimet e tyre’.

Shqipëria nuk është vend partner i ShBA-ve.  Shqipëria është thjeshtë një shtet vasal. ShBA-të janë de facto një Perandori, dhe perandoritë nuk kanë miq.  Perandoritë kanë vetëm armiq dhe vasalë.  Por ky raport ekziston vetëm në marrëdhëniet ndërshtetërore, dhe aty ku preken interesat jetike të ShBA-ve.  

Si dy vende anëtare të NATO-s, ShBA-te dhe Shqipëria janë pjesë e një ‘Aleance strategjike, ushtarake dhe politike me Traktat’. Në hierarkinë e marrëdhënieve ndërkombëtare, dhe të aleancave, Aleatët me Traktat (Treaty Allies) zënë vendin e parë dhë më të rëndësishëm.  Shqipëria është me fat që ka këtë pozicion. Porse, ndërkohë që ShBA-të janë të pamëshirëshme në raport me shtetet kur vjen puna tek interesat vitale, ato kanë vija të kuqe përsa i përket përfshirjes së tyre në politikën e brendshme të aleatëve strategjikë. Ndërkohë që ato punojnë ngsushtë me qeveritë e vendeve aleate për avancimin e objektivave të tyre, ato mbajnë një barazlargësi midis palëve kur vjen puna tek betejat politike lokale. Aq më pak, kur bëhet fjalë për çështje të brendshme të një partie politike.  Vijë të cilën zonja Kim e ka kaluar dukshëm.

Pavarësisht pakënaqësisë ndaj qëndrimeve të ambasadores, unë nuk do të doja kurrë që çështja Berisha të bëhej një ‘Ukrainë e dytë’, një kalë beteje në luftën e brendshme politike në Washington.  Shtetet e Bashkuara janë shumë të shtrenjta për ne, për tu bërë pjesë e sherreve të tyre të brendshme.