Kur shkrimtarët mendojnë si burokratët e Ministrisë së Mbrojtjes

A fitohet me Amerikën kundër? Kjo është një pyetje që po shtrohet rëndom së fundmi (nga disa qëllimisht  e nga disa dhe naivisht) sidomos tani kur ish-lideri historik i opozitës ka rinisur një lëvizje në Partinë Demokratike, ku për fat të mirë edhe pse vonë për mendimin tim, beteja e tij për të vënë në vend dinjitetin e nëpërkëmbur nga një "Non Grata" pa prova dhe pa shpjegime është e lidhur pazgjidhshmërisht me nevojën e demokratizimit të partisë më të madhe në opozitë.

Thjesht për kujtesë, jo më larg se dy-tre vite më parë ishte i njëjti vend që mbante po emrin Amerikë, që e pranoi ofertën për ndarjen e Kosovës, ofertë që i ngriti qimet në kokë çdo intelektuali e shkrimtari europian.

Nuk e mbaj mend çfarë qëndrimi kanë mbajtur këta intelektualë e shkrimtarë shqiptarë atë botë, po kam përshtypjen se nëqoftëse nga turpi nuk jane shprehur për këtë nismë, po prapë për turpin e tyre kanë heshtur...

E risolla në vëmendje këtë  detaj, jo thjesht për t'i kujtuar se Amerika jo vetem gabon, siç e ka treguar historia madje shpeshherë fatalisht dhe rëndë, por edhe për një arsye tjetër madhore demokratike: nuk është roli, sidomos i të ashtuquajturve shkrimtarë e intelektualë në demokraci; të shkojnë qorrazi pas ndërhyrjeve të tilla arbitrare në dëm të demokracisë e sovranitetit të një vendi, të një partie, të një komuniteti...

Ndaj, është e trishtë për një vend kur të ashtuquajturit intelektualë apo shkrimtarë, apo dhe publicistë mendojnë aq ngushte si të jenë zyrtarë te Ministrisë së Mbrojtjes që sapo kanë nënshkruar një marrëveshje për një bazë ushtarake sekrete me Ameriken.

Detyra e shkrimtarëve, intelektualëve, publicistëve, shoqërisë civile është të luftojë për ta shtyrë Ameriken të ulet në karrigen e humbur të Arbitrit të Demokracisë dhe jo të bashkohen me të në rrugën e arbitraritetit, qoftë kjo Amerika Zyrtare apo qoftë kjo Amerika e lobimeve...

Ndërsa nëqoftëse doni një përgjigje të shpejtë a fitohet me Amerikën kundra, pini një kafe me Albin Kurtin apo dhe me Fatos Nanon kur e mundi Pandeli Majkon në Kongresin e Partisë Socialiste, jo thjesht si Kryeministër, po si Kryeministër që vinte me dekorata nga Shtëpia Bardhë, si njeriu qe duke i hapur derën 700 mijë kosovarëve gjatë spastrimit etnik të Millosheviçit i shpëtoi fytyrën jo vetëm Uashingtonit, por edhe Europës që u gjend fare e papërgatitur...