Reagon 'ashpër' PD: Qeveria Rama hëngri darka te Nusreti dhe hotele 700 euro

Grupi parlamentar i PD-së ka reaguar sot pas mbledhjes së parë të qeverisë së mandatit të tretë të Kryeministrit Edi Rama.

Zëdhënësja e Grupit, Oriola Pampuri, sulmoi të ashtuquajturin Kod Etike që Rama shpalosi më forcë në mbledhjen e tij të parë me ministrat e sapoemëruar, por ku gati gjysma që bënin pjesë në qeverinë e mëparshme e kishin shkelur me të katra dhe rasti më flagrant qe “darka te Nusreti”.

Pampuri ua rikujtoi pikërisht këtë në mesazhin e publikuar në Fb: “Propaganda bajate e qeverisë më të korruptuar në Ballkan, e darkave te Nusreti dhe hoteleve 700 euro nata, shfaq si risi Kodin e Etikës që qysh prej 2013-ës e përdor për t’u hedhur hi syve, qytetarëve, - shkroi deputetja.

"Të gjithë e mbajmë mend me sa “etikë” u ngrit sistemi nepotik në qeveri, me sa “etikë” vëllezër e kushërinj ministrash gëzuan paprekshmërinë për t’u kthyer në zota të drogës dhe trafiqeve, duke dëshmuar se fjalët e shumta mbi etikën fshihnin pikërisht mungesën e saj, pasi si atëherë edhe tani, PPP-ja “Rama, Doshi, Rakipi”, bashkëqeverisjen e ka me krimin dhe kundër interesave të shqiptarëve,” përfundoi Pampuri.